Turqia kërkon ekstradimin e Gulen

29/04/2014 00:00

Turqia pritet të nisë procedurat për ekstradimin e klerikut turk me banim në SHBA, Fethullah Gulen, ka bërë të ditur kryeministri Recep Tayyip Erdogan.

Gulen, një ish-aleat i kryeministrit turk, akuzohet nga Erdogan se ka përdorur mbështetësit e tij në përpjekje për të rrëzuar atë nga pushteti. Kleriku mohon të ketë nxitur ndonjë fushatë kundër tij.

Qeveria turke është përballur me një sërë skandalesh korrupsioni dhe grupet e të drejtave të njeriut e akuzojnë atë për autoritarizëm.

Duke folur në Parlament, pas takimit me zëvendësit e tij në partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të martën, Erdogan konfirmoi se procesi për ekstradim “do të nisë”, – siç bëhet e ditur nga raportimet e fundit.

Kryeministri turk ka folur disa orë pas një interviste me rrjetin amerikan PBS, në të cilën ai tha se shpresonte që SHBA-të të deportonin Gulen dhe ta rikthenin atë mbrapsht në Turqi.

Ajo ishte intervista e parë për mediat e huaja, që kur partia e tij u shpall fituese në zgjedhjet lokale të muajit të kaluar.

Në intervistë, Erdogan tha se shpresonte që Uashingtoni, si një “shembull partneriteti”, duhet të merret seriozisht me këtë çështje. “Të paktën, ata duhet ta deportojnë atë”, shtoi ai.

Gulen, 74-vjeçar, jeton në mërgim të vetimponuar në shtetin e Pensilvanisë që prej vitit 1997. Ai ka shumë mbështetës në polici dhe drejtësi, teksa ka denoncuar lëvizjet e fundit për të ndalur një hetim të akuzave për korrupsion, të ngritura ndaj disa prej aleatëve të kryeministrit turk.

Mësimet e tij kanë inspiruar lëvizjen “Hizmet” (shërbimi), që besohet të ketë miliona ndjekës të ndarë në mbi 150 shtete.

“Hizmet”-i promovon një formë më tolerante të Islamit, duke theksuar edukimin, altruizmin dhe punën e vështirë.

Erdogan e ka akuzuar lëvizjen se qëndron pas një serie përgjimesh dhe vjedhjesh në rrjetet sociale, të cilat kanë ekspozuar korrupsionin masiv të figurave të larta të politikës, të lidhur me qeverinë.

Mijëra simpatizantë të “Hizmet”-it në polici dhe drejtësi janë shkarkuar nga puna ose janë caktuar në pozicione të tjera. Gjatë vitit të kaluar, Turqia u përfshi nga protesta masive kundër regjimit 10-vjeçar të Erdogan-it, të nxitur edhe nga akuzat për korrupsion.

Top Channel