Libi, sulmohet Parlamenti nga disa të armatosur

29/04/2014 00:00

Persona të armatosur mësynë ndërtesën e Parlamentit të Libisë dhe nisën të qëllojnë me armë. Siç raportohet nga mediat ndërkombëtare, të paktën disa persona janë plagosur.

Sulmi detyroi deputetët të largoheshin nga salla, ku po kryhej votimi për kryeministrin e ri, sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Abdullah Al Thinni dha dorëheqjen si kryeministër në fillim të këtij muaji, pasi u vu në shënjestër të milicive së bashku me familjarët e tij.

Situata në Libi nuk është stabilizuar ende, prej rrëzimit të regjimit të Muammar Gaddafi-t në vitin 2011.

Raportimet për të plagosurit, gjatë së martës, nuk janë konfirmuar ende, ndërsa korrespondenti i BBC-së në Tripoli tha se Kongresi Kombëtar i Libisë është sulmuar disa herë nga të armatosur gjatë 18 muajve të fundit.

Ende nuk dihet se kush fshihet pas këtij sulmi, ndërsa votimi për kryeministrin e ri të vendit është shtyrë për më 4 Maj, teksa ishin përzgjedhur për votim 2 nga 7 kandidatët e mundshëm.

Top Channel