Dosja 5D, të akuzuar për shkelje barazie në tendera, shtyhet seanca për ish drejtorët e Bashkisë Tiranë
Ekstradohet nga Zvicra, Musli Mehmetaj, i kërkuar për grabitjen me armë
të Bankës Amerikane të Shqipërisë në vitin 2005. Sipas Policisë së
Shtetit, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, u krye ekstradimi
nga Zyrihu drejt vendit tonë, i 39-vjeçarit nga Peja.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit e kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje”. I ekstraduari Musli Mehmetaj, më datë 6 gusht 2005, në bashkëpunim me katër persona të tjerë, ka vjedhur me armë filialin e Bankës Amerikane të Shqipërisë.
Mehmetaj është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 18 vite burg. Madje, dënimi përfundimtar është dhënë vetëm disa muaj më parë, për arsye se çështja është zvarritur. Procesi gjyqësor në ngarkim të tij është zhvilluar në mungesë, pasi në vitin 2008, Mehmetaj është arrestuar në Slloveni dhe më pas është ekstraduar drejt Zvicrës, e cila kërkonte 37-vjeçarin për dy grabitje që dyshohet se janë kryer nga ai. Akuza është për vjedhjen e dy bankave mjaft të njohura në Zvicër.
Sipas prokurorisë, grabitja për të cilën akuzohet Mehmetaj ka ndodhur afër qendrës së kryeqytetit. Rreth orës 11:20 të 6 gushtit 2005, është sulmuar filiali i Bankës Amerikane nga katër persona të armatosur. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të stacionit të trenit, ndërsa nga arka u zhdukën një sasi e konsiderueshme të hollash.
Sipas hetimit, grabitësit kanë qenë katër vetë të armatosur, të cilët fillimisht kanë goditur rojën që shërbente në fundjavë dhe më pas kanë vjedhur shumën e parave që ka qenë në dispozicion të klientëve. Për këtë ngjarje, policia arrestoi edhe një tjetër person, ndërsa Musli Mehmeti u arrestua në Slloveni për llogari të autoriteteve zvicerane.
Procesi gjyqësor në ngarkim të tij nisi në vitin 2007, por pas arrestimit të Mehmetit në Slloveni, gjyqi është ngadalësuar, madje është zvarritur në pjesën më të madhe. Shkak është bërë dërgimi i letërporosisë që autoritetet shqiptare u nisën atyre zvicerane, ku njoftonin se Musli Mehmeti ishte në proces gjyqësor në Shqipëri dhe për këtë fakt ai duhet të njoftohej.
Top Channel