“Aparteidi” izraelit, Kerry kërkon falje

29/04/2014 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, mori kritika të forta pas raportimit se kishte deklaruar që Izraeli rrezikon të bëhet “një shtet aparteidi”, nëse marrëveshja e paqes në Lindjen e Mesme nuk arrihet shpejt.

Komentet, për të cilat akuzohet t’i ketë bërë Kerry, u publikuan të dielën nga “The Daily Beast”, që deklaroi se i kishte siguruar ato nga një regjistrim i një fjalimi të Kerry-t përpara liderëve globalë, në një takim me dyer të mbyllura ku po diskutohej procesi i paqes që ka ngecur tashmë.

Kerry lëshoi një deklaratë pas këtij debati, ku nënvizonte mbështetjen e tij të fuqishme për Izraelin dhe angazhimin e tij për të gjetur një zgjidhje dy shtetërore për konfliktin në Lindjen e Mesme.

“Kam qenë për një kohë të mjaftueshme i ngarkuar me këtë çështje, për të ditur gjithashtu fuqinë e fjalëve që krijojnë një keqinterpretim, edhe nëse bëhet fjalë për diçka të paqëllimshme, dhe nëse do të riktheja regjistrimin do të kisha zgjedhur një tjetër fjalë për të përshkruar besimin tim të palëkundur se, e vetmja mënyrë në periudhë afatgjatë për të pasur një shtet hebre dhe dy kombe, dy popuj që jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri, është përmes një zgjidhjeje dy shtetërore”, tha ai.

Më herët, gjatë së hënës, Departamenti i Shtetit as nuk konfirmoi dhe as nuk mohoi komentet e Kerry-t.

Në deklaratën e tij, Kerry thekson se liderët izraelitë në të kaluarën kanë përdorur termin “aparteid” në bisedime, në lidhje me rrezikun e një shteti të bashkuar mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Historia mori një tjetër kthesë, kur organizatorët e eventit ku Kerry përdori këtë term, i shkruan një letër kryediplomatit amerikan për t’i kërkuar falje për thyerjen e protokollit nga Josh Rogin, një reporter i “The Daily Beast”.

“Ai nuk ishte i ftuar”, shkroi Joseph Nye, lider i Komisionit Tripalësh. “Edhe pse fakti se si ka mundur t’i shpëtojë zoti Rogin stafit të Komisionit dhe Sigurisë Diplomatike është ende e paqartë për mua, ne konfirmojmë se kishim dijeni që ai ishte prezent dhe kishte regjistruar seancën”.

E megjithatë, raportimi irritoi zyrtarët amerikano-hebrenj dhe disa të tjerë në Kongres. Komiteti amerikano-izraelit i Marrëdhënieve Publike e quajti atë “tmerrësisht shqetësues”.

“Çdo sugjerim se Izraeli është apo rrezikon të bëhet një shtet aparteidi është ofensiv dhe i pasaktë”, tha grupi në fjalë në deklaratën e tyre. “Shteti hebre është si drita e diellit për sa i përket lirisë dhe shanseve në një rajon të mbizotëruar nga terrori, urrejtja dhe shtypja”.

Grupi theksoi se ishte tërësisht dakord me presidentin Barack Obama, i cili tha në vitin 2008 se përdorimi i termit “aparteid” për të përshkruar konfliktin e vazhdueshëm mes Izraelit dhe Palestinës është “i mbushur me emocione” dhe “historikisht i pasaktë”.

Kritika kanë shpërthyer nga Kongresi, veçanërisht në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa kanë arritur kulmin me ftesën që senatori Ted Cruz, një republikan nga Teksasi dhe kandidat potencial për president, i ka bërë Kerry-t për të dhënë dorëheqjen.

Top Channel