Ukrainë, përleshje në Donetsk

28/04/2014 00:00

Një tubim në mbështetje të unitetit të Ukrainës ka degjeneruar në përleshje. Gjithçka po shkonte normalisht deri në momentin kur një grup pro-rusësh, të maskuar dhe me shkopinj gome dhe me thika, kanë sulmuar mbështetësit e Kievit.

Ngjarja ndodhi në qytetin e Donetsk-ut, në lindje të Ukrainës. Si pasojë e përleshjeve të paktën 14 persona kanë mbetur të plagosur.

Rreth 500 persona pro-rusë hodhën gurë si edhe granata tymuese bë drejtim të turmës me mbi 1 mijë persona. Forcat e policisë e patën të pamundur të shmangnin përplasjet.

Më herët, gjatë ditës së hënë Shtetet e Bashkuara i vendosën sanksione shtatë zyrtarëve rusë dhe 17 kompanive të lidhura me “rrethin e ngushtë” të presidentit Vladimir Putin.

Uashingtoni shpjegoi se “kjo ishte përgjigja për ndërhyrjet e paligjshme të Moskës në Ukrainë”.

Mes personave ndaj të cilëve u vendosën sanksione janë: Igor Sechin, kreu i gjigandit të naftës “Rosneft” dhe deputeti me influencë Aleksei Pushkov. 17 kompanitë e shenjestruara lidhen me individët e përfshirë në listën e mëparshme të sanksioneve.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel