“Shqip”: Drejtoreshat 6 muaj më pas

28/04/2014 00:00

Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali dhe ajo e Tatimeve, Briseida Shehaj janë kthyer pas 6 muajsh në studion e emisionit “Shqip” në Top Channel.

Drejtueset e dy prej institucioneve më të rëndësishme financiare të vendit, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetares Rudina Xhunga, kanë treguar reformimin e bërë në sistemin e doganave dhe tatimeve për të luftuar korrupsionin.

Duke marrë fjalën e para, Shehaj ka mohuar zërat për një keqmenaxhim të Drejtorisë së Tatimeve nga segmente të caktuara politike të mazhorancës qeverisëse.

“Deputetët tek Tatimet vijnë për të pyetur, për të komunikuar, etj. Dyert e institucionit tonë janë të hapura për të gjithë. Nuk ka selektime për të majtë e për të djathtë”, ka sqaruar Shehaj.

Drejtuesja ka bërë të ditur se në këto 6 muaj në institucionin e drejtuar prej saj janë marrë masa radikale lidhur me rastet korruptive, dosjet për të cilat janë dërguar në prokurori.

“Ne kemi referuar 76 çështje penale për një dëm prej 23 milionë dollarë. Nga të gjitha rastet që kemi çuar në prokurori, disa prej tyre na janë deleguar neve sërish sepse prokuroria nuk ka pasur ekspertizën e duhur. Deri tani na janë kthyer vetëm 17 dosje, që kanë një vlerë financiare shumë të vogël”, ka sqaruar Shehaj.

Më tej ajo ka zbuluar edhe disa detaje të sistemit të Tatimeve, konkretisht cilat pika janë më të cënueshme dhe cilat kanë qenë masat e marra për t’i përforcuar.

“Tatimi që kryen më shumë evazion është TVSH-ja dhe kjo vjen nga fatura që lëshohen pa kriter dhe të tjera që nuk shënohen. Por gjërat po ndryshojnë. Ne sot jemi në situatën kur kemi më shumë të ardhura se sa buxhetojmë”, ka thënë Shehaj, duke nënvizuar se një rol pozitiv në këtë drejtim kanë pasur edhe doganat.

“Nga administratat e Doganave dhe Tatimeve po jepet mesazhi që çdo punonjës që tenton të marrë ryshfet do të përfundojë në dyert e drejtësisë. Vetëm pak ditë më parë një inspektor tatimesh u arrestua sepse kërkoi ryshfet nga një taksapaguesi”, ka shtuar Shehaj.

Edhe drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali ka theksuar se reformat për të luftuar korrupsionin në administratë kanë qenë kryefjala e punës së saj në këto 6 muaj.

“Ka pasur shumë dosje korrupsioni dhe janë të vazhdueshme. Vetëm sot ne lajmëruam publikun se u pezulluan 4 doganierë të Morinës, pasi në bashkëpunim me subjektin do kalonin tonelata kafe kontrabandë”, ka deklaruar Spiropali.

Megjithatë, sipas Spiropalit, ky nuk është rasti i vetëm dhe nuk bëhet fjalë vetëm për hetimin e “peshqve të vegjël”. “Në tërësi dëmi ndaj shtetit është 22 milionë dollarë. Dosjet tona janë referuar në prokurori dhe unë dhe Ministria e Financave i kemi bërë thirrje prokurorisë që t’i trajtojë ato me seriozitet”, ka thënë ajo.

Drejtoresha ka nënvizuar më tej se gjatë përballjes me korrupsionin në institucionin e saj është zbuluar se fenomeni ka funksionuar si një sistem i organizuar politikisht.

“Korrupsioni në Dogana dhe Tatime ka qenë politik dhe hierarkik nga lartë poshtë. Nuk ka buruar asnjëherë vetëm nga korrupsioni banal i doganierëve”, ka saktësuar Spiropali.

Sipas saj, akciza është një nga sektorët me vjedhjen më të madhe dhe departamenti përgjegjës për mbikëqyrjen e saj kishte mungesë të theksuar profesionaliteti.

“Është një sektor me rrjedhje të madhe të ardhurash për buxhetin e shtetit. Është lënë nën nivel, nuk i janë dhënë resurset e duhura administrative dhe nuk kam ndroje të them se Departamenti i Akcizës është lënë qëllimisht në atë nivel”, ka theksuar Spiropali.

Ajo ka shtuar se, aktualisht Drejtoria e Doganave po bën një sërë reformash dhe fushatash për të ndryshuar imazhin e saj dhe kjo valë operacionesh do të jetë e vazhdueshme.

“Fushatat dhe reformat që Dogana po bën është shumë e gjerë. Informimi për akcizën, vendosjen e matësave kudo, etj. Ne kemi aksione të përbashkëta të doganierëve tanë me ata të “Crown Agents” dhe kemi rezultate. Jemi në vazhdën e një aksioni të përgjithshëm”, ka thënë Spiropali, e cila ka shtuar se, një reformë tjetër është ajo në fushën administrative.

“Duam të përmirësojmë imazhin e doganave, pasi konsiderohej si një institucion ku vidhej dhe ka pasur njerëz të paaftë. Nuk hezitojmë të themi se kemi bërë reformë në administratë. Nuk kemi bërë një fshesë politike, por një përzgjedhje të kujdesshme të funksionarëve, kemi prerë lidhjet nepotike, etj. Aktualisht të punësuarit janë ekonomistë ose juristë”, ka shtuar Spiropali.

Pjesën e dytë, panelit të Shqip iu bashkua përfaqësuesi i sipërmarrjes, Nikolin Jaka. Ai tha se është përmirësuar komunikimi mes sipërmarrjes dhe organeve kontrolluese shtetërore, por ngriti shqetësimin kryesor të biznesit, që është informaliteti që sjell konkurencë të paligjshme në treg si dhe evazionin fiskal.

Drejtorja e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Brisida Shehaj tha se aktualisht vazhdon puna për ndërtimin e sistemit ligjor që do të shmangte në një masë të madhe evazionin fiskal, që sipas saj është sfida e institucionit që drejton.

Jaka u ndal më pas të informaliteti i ekonomisë: “Sistemi fiskal është përgjegjësi kryesor për formalizmimin e ekonomisë që është plaga jonë më e madhe. Ne kemi sugjeruar që problemi qëndron kryesisht tek dy faktorë, e para është mosndryshimi i faturës së TVSH-së në gjithë qarkullimin tregtar dhe një ngërç që shumë biznese të vogla nuk tërheqin faturat dhe biznesi i madh nuk shkarkon dot. Ne sugjerojmë që këto të analizohen për të gjetur një zgjidhje”.

Drejtorja e Tatimeve deklaroi se kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë dhe se për këtë tregojnë vetë shifrat e institucionit që ajo drejton.

Drejtorja e Doganave, Spriropali ndërhyu duke vënë theksin tek intensifikimin e diskutimeve mes biznesit dhe dy institucioneve, Tatimeve dhe Doganave, por jo vetëm kaq. Ajo foli edhe për një plan masash që janë duke u ndërmarrë, që nga kodi i ri doganor, puna për të cilin ka nisur e deri tek nisma “një sportel”, që sipas saj do të reduktojë ndjeshëm korrupsionin.

“Kemi bërë disa takime, por besoj që ka nevojë për plane, për projekte dhe për këtë është edhe Këshilli Ekonomik Kombëtar. Është e nevojshme thjeshtimi i procedurave. Ne kemi propozuar këshillin ekonomik dhe kodin e  ri doganor që është tërësisht i njehsuar me kodin e ri të Bashkimi Europian që ka kaluar vetëm në tetor të 2013. Ky kod ndryshon marrëdhënien me sipërmarrjen dhe i jep një frymëmarrje të vërtetë. Por kemi prezantuar dhe po punojmë dhe të aplikojmë atë që quhet ‘vetëm sportel’ doganor. Nëse biznesi sot kalon në 15 agjenci për leje dhe certifikata, kjo i shkakton jo vetëm humbje kohe por është edhe burim korrupsioni, ndërsa me tek sportel e redukton korrupsionin. Besojmë që projekti do të jetë gati për t’u vënë në jetë brenda 1 viti, ndërsa kodi i ri do të jetë gati më 1 janar 2015”, tha Spiropali.

Përfaqësuesi i biznesit, Nikolin Jaka këmbënguli në atë që ai e quan plagën më të madhe të ekonomisë së vendit, informalitetin. Ai kërkoi të dijë se sa është bërë për të luftuar këtë.

“Këtu nuk po flasim se informaliteti është luftuar dhe është zhdukur në Shqipëri. Kjo nuk ndodh për katër muaj dhe as në katër vjet”, deklaroi Spiropali duke shtuar më tej se përparime janë bërë edhe në këtë fushë.

Në pjesën e tretë në panelin e Shqip u bashkua Floreta Luli-Faber nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Edhe në këndvështrimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë komunikimi mes biznesit dhe organeve gjegjëse të qeverisë është përmirësuar.

“Ne si disa organizata biznesi kemi patur të ngritur një marrëdhënie komunikimi me drejtuesit e tatimeve dhe doganave dhe kjo është një përvojë e ngritur që në 2003, por tani shikojmë një ndryshim, sidomos në pjesën e kontakteve dhe bisedave që mund të bëhen. Problematika që kalojnë nëpërmjet dhomave, kalojnë edhe tek tatimet dhe doganat”, tha ajo.

Nikolin Jaka deklaroi se kontakti fizik inspektor-sipërmarrës është faktor i nxitjes së korrupsionit. Ai kërkoi të dijë nëse do të merren masa për të zhdukur këtë ‘takim’ që do të reduktonte korrupsionin.

Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Shehaj u ndal tek puna e institucionit që ajo drejton: “Ka raste kur inspektorët kanë pasuri të padeklaruar. Kam dorëuar një dosje në ILDKP pas një denoncimi anonim që kemi marrë në numrin tonë jeshil që njoftonte se X inspektor i tatimeve ka një pasuri të padeklauar. Sot kanë ndryshuar gjërat, nëse biznesi kërkon të ndryshojë inspektorin që e inspekton, atëherë brenda 24 orëve i ndryshohet inspektori”, tha ajo duke e vlerësuar këtë masë si një masë anti-korrupsion.

Përfaqësuesja e Dhomës Amerikane të Tregtisë shtoi: “Diskutohet shumë për ndryshime në administratë dhe sot një nga komentet që vjen nga biznesi është që neve na inspektojnë të njëjtët persona, që na vijnë të njëjtët persona edhe sot, vijnë të njëjtët persona që kontrollojnë biznesin dhe me disa është e vështirë të komunikosh. Ligji është i ngurtë sa i përket interpretimit ligjor”.

Sa për korrupsionin, Spiropali tha se është cështje sistemi burimesh njerëzore dhe se për këtë në doganë është ndërmarrë një nismë që synon përthithjen e personave me integritet dhe të aftë për punën që u caktohet. “Sot ka plot raste kur inspektori i tatimeve apo punonjësi i doganës ka vilën ngjitur me biznesmenin që e ka ndërtuar atë me punë të ndershme dhe me djerësën e tij”, tha ajo.

Nga Kosova për Spiropalin mbërriti një pyetje mbi cmimin e referencës së mallrave kosovarë në traun që ndan dy ekonomitë tona. “Duam të heqim cmimet e referencës për Kosovën dhe në takimet e fundit që janë bërë mes dy qeverive përkatëse është diskutuar kjo”, deklaroi ajo, duke theksuar se synimi dhe politikat e qeverisë kërkojnë një unifikim të ekonomive të dy shteteve.

“Atë që s’mund të bëjmë politikisht, bashkimin, përse të mos e bëjmë ekonomikisht. Një treg me 6 mln banor është shumë më tërheqës për investitorët se sa një treg me 3 dhe 2 mln banorë”, tha ajo. 

Top Channel