Sanksione njerëzve të Putin

28/04/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara i vendosin sanksione shtatë zyrtarëve rusë dhe 17 kompanive të lidhura me “rrethin e ngushtë” të presidentit Vladimir Putin. Uashingtoni shpjegoi se “kjo ishte përgjigjia për ndërhyrjet e paligjshme të Moskës në Ukrainë”.

Mes personave ndaj të cilëve u vendosën sanksione janë: Igor Sechin, kreu i gjigandit të naftës “Rosneft” dhe deputeti me influencë Aleksei Pushkov. 17 kompanitë e shenjestruara lidhen me individët e përfshirë në listën e mëparshme të sanksioneve.

Lista e fundit synon të godasë edhe eksportet hi-tech, që do të ndikojnë aftësitë ushtarake të Rusisë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian ngrinë asetet dhe ndaluan dhënien e vizave për disa zyrtarë dhe kompani ruse, pas aneksimit të Krimesë muajin e kaluar.

Të enjten, Shtëpia e Bardhë tha se do të “shtojë listën e sanksioneve, si kundërpërgjigje ndaj ndërhyrjeve të paligjshme të Rusisë në Ukrainë dhe akteve provokuese që cënojnë demokracinë dhe kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin dhe integritetin territorial”.

Uashingtoni akuzon Moskën se nuk ka bërë asgjë për të përmbushur angazhimet e marra gjatë takimit të Gjenevës më 17 prill. Zv/ministri i Jashtëm rus, Sergei Riabkov tha se “përgjigjia e Moskës do të jetë e dhimbshme për Uashingtonin”.

Diplomatët në Bruksel thanë se “qeveritë e BE-së kanë rënë dakord për t’i vendosur snaksione të tjera Rusisë, si ngrirje të aseteve dhe ndalim udhëtimi për 15 individë rusë”.

Ndërkohë, Kina ka përsëritur apelin e saj që kriza në Ukrainë të zgjidhet përmes dialogut, por i ka cilësuar si jorpduktive sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga Perëndimi.

“Pekini shpreh qëndrimin e tij të prerë kundër përdorimit të kërcënimeve dhe sanksioneve në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.

“Ne besojmë se sanksionet nuk kontribuojnë në zgjidhjen e problemit. Përkundrazi, ato rrisin më shumë tensionet”, ka shtuar zëdhënësi i dikasterit diplomatik.

Këto zhvillime vijnë pasi kryebashkiaku i Karkivit, qyteti në Lindje të Ukrainës, u qëllua dhe mbeti i plagosur rëndë. Henadi Kernes iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas plagëve të marra në kraharor dhe bark, por jeta e tij mbetet në rrezik.

Mbetet ende e paqartë se kush dëshironte vdekjen e tij. Separatistët vazhdojnë të mbajnë të burgosur 40 persona në qytetin e Sllovianskut, përfshirë gazetarë, aktivistë pro-Kievit dhe 12 vëzhgues ushtarakë të OSBE-së.

Top Channel