Rexhep Qosja, nënshtetas i Shqipërisë

28/04/2014 00:00

Akademiku kosovar, Rexhep Qosja është rezidenti më i ri i Republikës së
Shqipërisë. Ditën e hënë, ai është betuar para punonjësve të njësisë
bashkiake numër 5 në Tiranë, si banori më i ri i saj.

“Betohem se do të zbatoj me përpikmëri të gjitha të drejtat dhe detyrimet kushtetuese dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë”, tha Qosja.

Pas aplikimit për kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike, në një intervistë ekskluzive për Top Channel, profesor Qosja e ka përshkruar këtë moment si një gëzim të dyfishtë.

“Unë jam bërë shtetas i Shqipërisë në vitin 1999 dhe ky ishte gëzim i veçantë për mua, sepse bëhesha nënshtesas i shtetit që në Kosovë, gjithmonë e kemi quajtur Shqipëria mëmë. Edhe atëherë ishte një gëzim i jashtëzakonshëm për mua. Tani bëhem edhe qytetar i njësisë numër 5 të Tiranës dhe gëzimi i atëhershëm kur u bëra qytetar i Shqipërisë tani bëhet gëzim i dyfishtë”, thotë Qosja.

Rexhep Qosja mban shtetësinë shqiptare që nga viti 1999, me dekret të Presidentit numër 2346, që i njeh gjithë të drejtat dhe detyrimet si shtetas shqiptar. Përpos kësaj, ai ka dhe shtetësinë kosovare. Rexhep Qosja nuk është i vetmi shtetas i Kosovës që ka marrë pasaportën shqiptare. Pak ditë më parë, edhe bilbili i Kosovës Nexhmie Pagarusha ka marrë nënshtetësinë shqiptare.

Top Channel