100 vjetori i masakrës së Hormovës

27/04/2014 00:00

Qindra banorë të rrethinave të Tepelenës përkujtuan 100 vjetorin e masakrës së Hormovës, ku 217 burra nga ky fshat u ekzekutuan masivisht prej andartëve grekë në vitin 1914.

Një ditë e hidhur e familjes time sepse ishin duke qëndruar në shtëpitë e tyre dhe i mori greku në kodër ku edhe i masakroi. Edhe sot e ndjejmë dhimbjen e tyre”, tha një prej banorëve të Hormovës.

Historiani Shyqyri Hysi thotë se kjo masakër faktohet si një prej ngjarjeve më të rënda në dëme të popullsisë shqiptare të jugut të vendit.

“Është një moment për t’i bërë thirrje të gjithë klasës politike shqiptare dhe ballkanase të kthejnë kokën nga këto momente të dhimbshme të historisë sonë kombëtare dhe të Ballkanit”, shtoi historiani Shyqyri Hysi.

Autoritetet e Komunës Qendër Tepelenë organizuan aktivitete përkujtimore të lidhura me këtë ditë, ku ishin të ftuar historianë, deputetë si edhe qindra emigrantë shqiptarë nga zona.

“Për shkakun e vetëm se nuk u bënë pjesë e klaneve të kohës për aneksimin e jugut të Shqipërisë, ndodhi kjo masakër në këto vende për mbrojtjen e trojeve amtare”, Redi Rama, kryetar i Komunës Qendër Tepelenë.

Homazhet në përkujtim të kësaj ngjarjeje janë mbajtur në vendin e quajtur ‘Kodër’, 7 kilometër larg Hormovës, që njihet si vendi ku 217 burrat u shoqëruan fillimisht dhe më pas u ekzekutuan.  

Top Channel