Siri, rebelët me anti-tanke amerikane

15/04/2014 00:00

Videot e shpërndara online tregojnë rebelët sirianë teksa përdorin ato që duken si raketa kundra-tank të prodhuara nga SHBA-të, bëjnë të ditur ekspertët e armëve, shenja e parë kjo që tregon se armatime amerikane kanë hyrë në luftën civile të këtij vendi.

Kjo do të shërbente edhe si një sinjal i ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të konfliktit, pasi raketa të reja të dyshuara nga Rusia dhe dronë (avionë të telekomanduar) nga Irani janë pikasur mes forcave besnike të presidentit Bashar al-Assad.

Megjithatë, asnjë prej pajisjeve nuk shihet si e mjaftueshme për ta kthyer valën e betejës, e cila tashmë është kthyer në një luftë të gjerë pa krye, me Assad-in që dominon në qytetet qendrore të Sirisë dhe përgjatë bregdetit të Mesdheut, ndërsa rebelët kontrollojnë veriun dhe lindjen e vendit.

Ende nuk është bërë e mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur autenticiteti i videove, apo furnizuesi i raketave kundra-tank BGM-71 TOW, që shfaqen në këto video. Disa analistë sugjerojnë se ato mund të jenë dërguar nga shtete të tjera fqinje, si Arabia Saudite, një aleat i Shteteve të Bashkuara, pikërisht me autorizimin e Uashingtonit.

Zyrtarët amerikanë refuzuan të diskutojnë mbi këtë çështje, e cila u shfaq në Siri në të njëjtën kohë me raportimin e Reuters se Uashingtoni ka vendosur të procedojë me planet e rritjes së ndihmës, përfshi dërgesat e armatimeve të lehta.

Zëdhënësja e Këshillit për Sigurinë Kombëtare, Bernadette Meehan, tha se administrata e Obamës po dërgonte mbështetje, por pa e përcaktuar se të çfarë lloji.

“Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të ndërtuar kapacitetin e një opozite të moderuar, përfshi këtu dhënien e ndihmës për të verifikuar anëtarët e opozitës së moderuar të armatosur”, tha ajo në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me raketat në video.

“Ashtu siç kemi thënë vazhdimisht, nuk do të japim detaje mbi secilin tip të ndihmës sonë”, tha ajo.

Top Channel