Pro-Rusët shpërfillin Kievin

14/04/2014 00:00

Militantët pro-rusë vazhdojnë të mbajnë të pushtuara ndërtesat qeveritare në lindje të Ukrainës, duke injoruar ultimatumin e dhënë nga Kievi, se do të përballen me forcat speciale ukrainase.

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës premtoi aksione ushtarake nëse ndërtesat qeveritare nuk do të liroheshin deri në mëngjesin e së hënës, por korrespondentët e mediave të huaja njoftojnë se flamuri rus vazhdon të valëvitet në stacionin e policisë të Slovianskut.

Përplasjet e armatosura të së dielës në rrethinat e qytetit lindor çuan në vrasjen e një oficeri ukrainas. Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit, po ditën e diel, Rusia i bëri thirrje Kievit që të mos përdorë forcën ndaj protestuesve në lindje të Ukrainës.

Ambasadori rus në OKB, Vitaliy Churkin i rekomandoi Kievit që të nisë një “dialog të shëndetshëm”. Por ambasadori ukrainas Yuriy Sergeyev tha se është Moska që ka krijuar një krizë artificiale në lindje të vendit.

Ministri i Jashtëm ukrainas tha të hënën se ka prova që trupat ruse kanë qenë prapa “operacionit separatist” dhe tha se do t’i prezantojë ato në takimin e Gjenevës më vonë gjatë javës.

Kievi kishte premtuar ndërhyrje ushtarake nëse pro-rusët nuk do të tërhiqeshin nga ndërtesat qeveritare që kanë zaptuar në Sloviansk dhe qytete të tjera.

Banorët në lindje të vendit presin të shohin presidentin e përkohshëm Olexander Turchynov të përdorë ushtrinë për të rimarrë nën kontroll godinat.

Top Channel