Mungon uji në zonat rurale

12/04/2014 00:00

Rreth 2.500 familje në fshatrat Macurisht, Golloberdë dhe Rembec vujanë nga problemet e përsëritura me ujin e pijshëm, si pasojë e rrjetit të amortizuar.

Prej 40 vitesh këto fshtara furnizohen me ujë nga rrjeti i cili përbëhet nga tuba prej interniti, ndërsa amortizimi i tepërt shkakton shpesh defekte dhe ndërprerje të ujit. Sipas banorëve, problemet në rrjet ndikojnë tek këto familje duke u rrezikuar higjenën dhe shëndetin.

Riparimet e defekteve nga ana e Drejtorisë së Ujësjellësit nuk japin një zgjidhje përfundimtare të problemit, i cili do të merrte fund me një zëvendësim të plotë të të gjithë rrjetit, por kjo është e pamundur si rrjedhojë e mungesës së fondeve.

Nga ana e Drejtorisë së Ujësjellësit të fshatit janë bërë shpesh kërkesa për zëvendësimin e këij rrjeti, çka do të normalizonte situatën për këto familje, por pengesë janë fondet dhe kostot e larta.

Ndërkohë, edhe fshati Kovashicë, në komunën e Shupenzës të rrethit Bulqizë, po vuan të paktën prej 5 muajsh mungesën e ujit të pijshëm, por problematika e kësaj situate vijon prej vitesh.

Shkak i kësaj mungese, sipas banorëve të këtij fshati, është bërë zëvendësimi i pompës ngritëse të ujit në stacionin e pompimit me një pompë me fuqi më të vogël, e cila nuk mundëson që uji të shkojë në pikat ekstreme më të larta të fshatit.

Banorët i kanë humbur shpresat se ndërmarrja e ujësjellësit Bulqize do të ndërhyje për zgjidhjen e këtij problemi. Ata thonë se kanë paguar rregullisht faturat, por uji nuk po u shkon nëpër shtëpi. Për të plotësuar nevojat, banorët transportojnë ujin me kafshë pune nga burimet pranë zonës së banimit.

Top Channel