Plaga sociale e adoleshentëve

11/04/2014 00:00

23 të mitur,  shumica e tyre të dënuar  për vjedhje, fituan lirinë pas amnistisë që përfshiu sistemin e burgjeve. Prindër  që i presin dhe që bëjnë fajtore veten dhe mjedisin.

“Ambient i keq për fëmijët, për të gjithë. Unë nuk pata mundësi të kontrolloja fëmijën tim, as babai i tij nuk pati mundësi për ta kontrolluar dhe përfunduam në këtë gjendje”, thotë Luiza Kaloshi, nënë e një fëmije të dënuar që rifitoi lirinë.

“Një herë që vodha unë, më kapën. Vodha para në një banesë dhe vodha për shkak të shkollës, papunësisë, shumë gjëra. Vidhja për vetë”, thotë Alket Allisha, i dënuar për vjedhje.

“Vidhja për të luajtur kompjuter, bilardo, bixhoz”, deklaron Artur Marku, një tjetër i mitur i dënuar për vjedhje e që një ditë më parë rifitoi lirinë.

Kujtime Xhafa 49 vjece nga Rrogozhina, një grua që po i rrit e vetme pesë fëmijët e saj, ka lypur për të siguruar lekët e biletës deri në Kavajë.

“Para se të vija këtu kam lypur dhe kam ardhur për të nxjerrë djalin. Kam lypur se nuk kam. Më duheshin lekë për të ardhur tek djali”, rrëfen ajo.

Ajo është nëna e Lulzim Xhafës, një 17-vjecar i heshtur e që është i vetmi që nuk qesh kur lë burgun. Për të psikologët shprehen se edhe rrobat e trupit ja kanë falur shokët në burg.

Lulzimi i ka shtëpinë në lagjen numër dy në Rrogozhinë, e motra Anxhela në pritje të tij nuk ka dalë të mbledhë kanaçe. Shtëpia e këtij 17-vjeçari, që duket se s’ka patur ndonjëherë fëmijëri është një dhomë e improvizuar mes orendish të falura e të gjetura në plehra.

Top Channel