Kryebashkiaku i Tiranës nuk dorëzohet, shton përpjekjet për t’u liruar nga “paraburgimi”
Në kuadër të urdhërit të Ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, Autoriteti Kombëtar Ushqimor inspektoi gjatë ditëve të fundit rreth 700 punishte që prodhojnë nënprodukte të qumështit.
Nga inspektimet e kryera në të gjithë vendin mjaft raste kanë rezultuar problematike, ndërkaq janë sekuestruar gjithsej 893 kilogramë djathë i përpunuar me niseshte. Sasia më e madhe e djathit të konfiskuar ka rezultuar në rrethet e Tiranës, Kukësit, Dibrës dhe Vlorës.
Sipas njoftimit të Autoritetit Kombëtar Ushqimor në rrethet e tjera ku është ushtruar kontroll si Berat, Gjirokastër, Shkodër, Durrës, Fier, Lezhë dhe Elbasan nuk janë konstatuar raste problematike.
Të enjten AKU vijoi kontrollet për djathin dhe gjizën në tregun e ish-Uzinës Dinamo në Tiranë. Në këtë treg gjatë kontrollit u konfiskua një sasi e konsiderueshme malli ushqimor, konkretisht, 486 kilogramë djath dhe 300 kilogramë gjizë, të dyja këto produkte të përpunuara me niseshte dhe sipas ekspertëve të dëmshme për konsumatorin.
Sic theksoi dhe drejtori i AKU për Tiranën që udhëhiqte operacionin në tregun e ish-uzinës Dinamo, ky ishte vetëm një kontroll rutinë, ndërsa AKU do të vijojë me kontrolle të tjera gjatë ditëve në vazhdim për të gjitha produktet me origjinë shtazore.
Top Channel