Zvarritja e gjyqeve, peng drejtësia

09/04/2014 00:00

Për administraten shtetërore, puna nis në orën 08:00. Kështu duhet të
ishte edhe për gjyqtarët, por ata e kanë përjashtuar veten nga ky
detyrim.

Ashtu siç e ngriti shqetësimin gati katër vjet më parë ish-zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtesisë Kreshnik Spahiu, edhe ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, e konstaton këtë problem, pra mungesë të disiplinës së gjyqtarëve për orarin.

“Asnjë gjykatë nuk e fillon punën në orën 08:00. Kaq mjafton për ta kuptuar, që këtë kërkon të eliminojmë. Një gjyqtar, si gjithë punonjësit e administratës, duhet të punojë nga ora 08:00 deri në 16:00 dhe të ketë një eficencë më të plotë në punën e vet. Unë kam treguar një vullnet të hekurt, kur kam treguar që në katër muaj kam bërë atë që paraardhësit e mi nuk e kanë bërë për katër vjet”, tha ministri Naço.

Por ndersa zvarritjet ne gjyqesor vijojne te shenojne rekorde te reja, kreu i prezences se OSBE-së, Florian Rauning, mendon se jo gjithmone duhet prekur ligji per te shmangur kete fenomen.

“Pas monitorimit të çështjeve civile, konstatuam se mbi 47 për qind e seancave gjyqësore ishin tërësisht joproduktive. Me fjalë të tjera, në to nuk ndodhi asgjë thelbësore, as nuk u ngrit ndonjë argument, as nuk u qarkullua ndonjë dokument, as u morën prova dhe as u bë ndonjë kërkesë. Në vend që të ndryshohet ligji, zgjidhja mund të gjendet tek ndryshimi i praktikës së gjykatës”, tha Rauning.

“Të gjithë jemi dëshmitarë që anktivizimi joserioz në procesin gjyqësor, duke filluar nga instituicionet shtetërore, më pas e avokatit, ekspertit apo të pandehurit, bën që proceset gjyqësore të shtyhen për një kohë të gjatë dhe të pajustifikuar, duke cënuar thelbin e qëllimit që ka vetë procesi gjyqësor”, tha nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa.

Të premten pritet qe te zhvillohet mbledhja e rradhes ne Keshillin e Larte të Drejtësisë pas kontrolleve të Inspektoriatit, ku tre gjyqtarë, një në Shkodër dhe dy në Krujë janë gjetur me shkelje në procese të tejzgjatura, sikurse rasti i një divorci në Shkodër, i cili ka zgjatur tre vjet, në një kohë që ish-bashkëshortet ishin martuar me partnerë të tjerë e ishin bërë edhe prindër.

Nga ana tjeter Ministri i Drejtesisë, Naço tha se pas letres së Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka përfunduar inspektimi ndaj gjyqtarit të Kavajes Osman Aliu, ndersa per letren e dyte te Tahirit per tre gjyqtare te tjere të Apelit, Naço tha se eshte vene ne dijeni me nje tjeter leter nga KLD, e cila mendon se ka vend per verifikim.

Top Channel