Në kohën kur Jean-Claude Juncker, kandidati kryesor i PPE-së për kreun e Komisionit Europian, flet për “pushim” të procesit të zgjerimit, të djathtët mbajtën në Parlamentin Europian konferencën e katërt vjetore mbi Ballkanin me temë ‘Nga stabilizimi në anëtarësim’.

“Zgjedhja e rrugës për t’u anëtarësuar është diçka, dhe t’i përmbahesh kësaj rruge është një gjë tjetër. Ajo që i them Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe FYROM (Maqedonisë) është se të investohesh plotësisht në këtë udhë, nuk është gjithnjë e lehtë”, deklaroi Joseph Daul, president i PPE.

Ndërsa Eduard Kukan, ndërsa fliste për vështirësitë e rrugës drejt anëtarësimit në BE, u këshilloi kolegëve nga Ballkani që t’i hedhin një sy çmimit. Ai e renditi Shqipërinë përkrah vendeve ‘jo të suksesshme’ të rajonit për këtë proces, duke e vënë theksin tek dialogu politik.

“Më besoni se të gjithë ne dëshirojmë që Shqipëria ta marrë atë status kandidat dhe shpresoj të ndodhë kështu. Por, është e domosdoshme për të gjitha forcat politike në Shqipêri që të vazhdojnë për të krijuar  gjurmë provash, siç u shpreh në Dhjetor Këshilli Europian se vendi nevojitet të japë gjurmë provash mbi faktin se situata e re politike pozitive në Shqipëri është e qëndrueshme. Ndaj do t’i kërkoja mikut tonë këtu që të bëjë gjithçka për t’a arritur këtë sepse është me të vërtetë e domosdoshme për vendin, e nevojshme për popullin e Shqipërisë”, deklaroi Kukan.

“Shpresoj shumë se samiti i qershorit do të konludojë pozitivisht për çështjen e statusit, por egziston një rrezik i dytë që po shfaqet dukshëm gjithnjë e më shumë në këto 7 muajt e parë të kësaj qeverie.

Ky është rreziku se kjo qeveri e mazhorancë percepton sjelljen tonë, jo si një rritje ndërgjegjësimi për një qasje të përbashkët e të unifikuar kombëtare për çështje të tilla të rëndësishme si integrimi europian, por si një dobësi.

Dhe ky rrezik është më i madh nëse mazhoranca vijon ta perceptojë këtë si leje për vrasje, leje për të vrarë kriteret e Kopenhagen dhe progresin e arritur deri më tani. Flas për ç’ka ndodhur në pak kohë.

Një muaj më parë, kryetarja e ILDKP u hoq joligjërisht nga puna dhe kjo u bë në shkelje flagrante të Kushtetutës, duke përvetësuar fuqitë e Presidentit të Republikës. E njëjta qasje u ndoq për një tjetër grua që drejtonte autoritetin e medias shqipëtare. Presione të ngjashme  pati ndaj shërbimit sekret.

E vetëm këtë javë, qeveria po shtyn për atë që duket si një tjetër tentativë për të përvetësuar pushtetin e Presidentit duke i hequr atij fuqitë ligjore e kushtetuese mbi forcat e armatosura.

Gjyqtarët janë nën presion dhe përgjithësisht është nën sulm siguria ligjore, për shkak të sulmit ndaj institucioneve të pavarura, ndaj sistemit të kontrollit dhe ruajtjes së balancave, sepse nuk zbatohen vendimet e gjykatave nëse janë kundër qeverisë”, tha nga ana tjetër Lulzim Basha, kryetar i PD.

“Kur ky vendim të merret (statusi), do të përbëjë një sukses të përbashkët për qeverinë e kaluar, e koalicionin e shkuar, dhe për qeverinë e tanishme, e koalicionin e sotëm. Mendoj se zoti Basha e theksoi punën e bërë gjatë 2013 që përfundoi me përgatitjen e mrekullueshme të zgjedhjeve”, tha më tej Jean Eric Parquet, drejtor për Ballkanin KE.

Për shkak të zgjedhjeve europiane, Daul shpjegoi se vëmendja e tij ndaj rajonit do të kthehet në gjysmën e dytë të vitit. 2014, u përmënd më shumë për fitoren e pritshme të së djathtës sesa për mesazhin e zgjerimit të BE-së në këtë 100-vjetor të Luftës së Parë Botërore.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel