Itali, studentët: Shqipëria “trampolinë”

09/04/2014 00:00

Ditën e martë u zhvillua në Itali testi për t’u futur në Fakultete me numër të mbyllur. Vëmendja u përqëndrua kryesisht në testin për Fakultetin e Mjekësisë, ku kandidatët qenë 64 mijë për 10,500 vende.

Ata që nuk kanë arritur t’i përgjigjen 60 pyetjeve, brenda 100 minutave në dispozicion, ose do të mund të provojnë vitin e ardhshëm, ose do të ndjekin atë që tashmë në Itali quhet plani B: regjistrimi në një universitet të huaj, ku është më i lehtë pranimi.

Kohët e fundit është folur shumë për mundësinë e studimit në Shqipëri, me një kosto që – sipas studentëve italianë që frekuentojnë universitetet private shqiptare, – shkon rreth 7-8 mijë euro në vit, për shpenzimet e regjistrimit dhe ato të jetesës.

Një mundësi reale, që forcohet më shumë nga një vendim i nxjerrë në Shkurt nga Gjykata Administrative e rrethit të Lacios, e cila i dha të drejtë një studenti italian të regjistruar në një universitet privat shqiptar.

Pas vitit të parë të kryer në Tiranë, ai pati kërkuar transferimin në Universitetin “Tor Vergata” të Romës dhe, pas vendimit pozitiv të gjykatës, mendohet se do të jenë të shumtë studentët italianë, që mund të ndjekin të njëjtën rrugë, për të kapërcyer pengesën e testit të pranimit.

Top Channel