Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka zbardhur këtë të martë dhjetë vendime që e penalizojnë shtetin shqiptar për cështjen e pronave  me tetë milione euro.

Sipas vendimeve të hedhura në faqen e Gjykatës së Strasburgut bëhet fjalë për kthimin dhe kompensimin e pronave për familjet Karagjozi, Koço, Shehu, Dvorani, Sallabanda, Gogo, Tartari, Okaj dhe Budina të cilët i janë drejtuar ndër vite gjykatës europiane, duke paditur shtetin shqiptar.

Avokati për cështjet e Strasburgut, Sokol Puto i cili përfaqëson disa nga këto familje, shpjegon procedurat që do të ndjekë pala fituese.

“Ankuesit duhet t’i drejtohen Avokaturës së Shtetit dhe Ministrisë së Financave për të ndjekur procedurën për ekzekutimin e vendimit dhe procedura që ndiqet në të tilla raste është një vendim i qeverisë për cështjet konkrete dhe ekzekutimi i të tilla vendimeve përgjithësisht bëhet nga Fondi Rezervë i qeverisë”, sqaron Sokol Puto, avokat i çështjeve në Strasburg.

Por sa kohë ka në dispozicion shteti shqiptar për të paguar detyrimin e vendosur nga Gjykata e Strasburgut?

“Vendimet e gjykatës në rastin konkret duhet të ekzekutohen brenda një afati 3-mujor nga zbardhja e tyre, përndryshe, nëse ky afat kalohet nisin të llogariten edhe penalitete të tjera ose interesa”, thotë Puto.

Aktualisht me të njëjtin kazus ndodhen në Strasburg edhe gati 379  cështje të tjera të shtetasve të ndryshëm kundër shtetit, ndërkohë që 60 cështje të tjera Gjykata e të Drejtave të Njeriut i ka dhënë kohë Shqipërisë që të gjejë zgjidhje.

Top Channel