Pranga gjimnazistit, mbante pistoletë me vete në shkollë

08/04/2014 00:00

Policia e Kamzës ka arrestuar një gjimnazist, pasi është kapur me armë
në shkollë, ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se ndihej i
kërcënuar, prandaj mbante pistoletë me vete.

Burime nga policia thonë se Dashamir K., 16 vjeç, me banim në Kamzë, është arrestuar në oborrin e gjimnazit “Ibrahim Rugova”. Gjatë arrestimit, ai nuk ka bërë rezistencë, por i është bindur urdhrit të policisë. Sipas të dhënave, i mituri ka pasur si qëllim që të vrasë dikë, sepse kishte marrë kërcënime.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se 16-vjeçari ka pasur konflikt me një bashkëmoshatarin e tij, që jeton aktualisht në Itali. Sherri mes të miturve ka lindur nëpërmjet rrjetit social Facebook, ku palët kanë shkëmbyer fyerje mes tyre. Madje, konflikti ka degjeneruar deri në kërcënime për jetën.

Emigranti i ka thënë se të afërmit e tij jetojnë në Tiranë dhe se ata do të shkonin në shkollën e 16-vjeçarit për ta rrahur. Gjimnazisti e ka marrë seriozisht kërcënimin dhe ka shkuar në shkollë, i pajisur me armë zjarri. Ai kishte frikë se dikush do t’i dilte përpara, me qëllimin që ta dhunonte fizikisht. Fatmirësisht, ai nuk ka pasur përballje me të afërmit e emigrantit, sepse është arrestuar në kohë prej Komisariatit Nr. 5. Kanë qenë shokët e klasës ata që e kanë vënë re armën e Kovaçit dhe si pasojë e kësaj, kanë njoftuar policinë. Uniformat blu kanë shkuar me shpejtësi te gjimnazi, për ta arrestuar në flagrancë. Në momentin që ai është vënë në pranga, ishte duke dalë nga oborri i shkollës. Nën praninë e psikologut, ai është marrë në pyetje, ku ka treguar përpara hetuesve, motivin e armëmbajtjes pa leje.

Top Channel