Ligj për kamatat e borxheve

08/04/2014 00:00

Bizneset apo institucionet publike të cilat nuk shlyejnë në kohë pagesat ndaj furnitorëve të tyre do të paguajnë kamatë për cdo vonese jashtë afateve të parashikuara në kontratë ose në ligj.

Masa e interesit do të jetë sa norma bazë e Bankës së Shqipërisë + 8 përqind.  

“E dimë shumë mirë cfarë ka ndodhur me pagesë-vonesat mes biznesit me njëri-tjetrin, por sidomos pagesë-vonesat në autoritetin publik. Nëse do të vazhdohet me këtë format, shumë biznese mund edhe të shkojnë drejt falimentimit, apo të kemi reflektimin tjetër sic ka ndodhur në sistemin bankar ku kemi një rritje të paprecedentë të kredive të këqija”, deklaroi Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe i Sipërmarrjes, Arben Ahmeti.

Kamatë-vonesa nuk do të paguhet vetëm nga institucionet publike, por edhe nga privatët që kanë detyrime të prapambetura mes njëri-tjetrit. Për detyirmet afati i të cilave nuk është përcaktuar në kontratë, kamatë-vonesa nis 30 ditë nga data e pranimit të faturës nga debitori ose dorëzimit të mallit.

Por opozita është skeptike. Ndonëse parimisht e ka mbështetur nismën, Ridvan Bode thotë se ajo kërkon një masë shtesë.

“Kush është institucioni që do të merret me zbatimin dhe forcimin e këtij ligji? Të zbatojë këtë ligj. Do të thonë prap gjykatat njëlloj si Kodi Civil. Mendoj që duhet ngritur regjistri kombëtar i detyrimeve që i ka biznesi njëri-tjetrit, është koha për ta bërë një gjë të tillë dhe kjo kërkon një trup, institucion që merret pikërisht me regjistrimin e këtyre kontratave që bizneset i kanë njëri-tjetrit dhe nuk ia kanë likujduar”, deklaroi deputeti demokrat, Ridvan Bode.

Zoti Bode thotë se borxhet mes bizneseve duhet të jenë objekti kryesor i draftit dhe jo detyrimet e qeverisë, të cilat sipas tij janë krijuar nga ligji i prokurimeve dhe zgjidhen duke ndërhyrë në të.

Ridvan Bode: Detyrimin e krijon ligji i prokurimit publik që lejon hapjen e investimeve edhe me 10 përqind të fondit.

Arben Ahmetaj: Praktikisht ne nuk hapim më procedura tenderimi pa u alokuar 70 përqind e fondit.

Ridvan Bode: Po u bë si e kanë bërë vendet e tjera, unë ju garantoj që për 2-3 vite hyjmë tek tregu i kapitaleve, por kështu sic vjen kjo vetëm me deklarata nuk merret ky ligj me kontratat me qeverinë. Përdoreni për tregun sepse tregu duhet shpëtuar.

Drafti i ri nuk ka fuqi prapavepruese, që do të thotë se nuk prek detyrimet që janë krijuar para hyrjes në fuqi të tij, përfshirë 726 milionë dollarë borxhe të prapambetura që qeveria ka ndaj biznesit.  

Top Channel