Durrës, sekuestrohen 2.2 ton hashash

08/04/2014 00:00

Mbi 2, 2 ton hashash janë sekuestruar në portin detar të Durrësit teksa
synonin të kalonin kufirin shqiptar drejt Italisë të fshehura në një
kamion me divanë. 

Droga ishte fshehur në kamionin me targa SU 0172 SB dhe me targa trajleri SU 0094 SB i cili po transportonte 45 copë divane, brenda të cilëve gjatë një kontrolli u zbulua një pjesë e bimës narkotike. Kamioni i markës “Scania” u kontrollua teksa po kryente procedurat për t’u imbarkuar në tragetin “Bridge” të linjës Durrës-Bari.

Sipas policisë, në secilin prej divaneve të hapura deri tani ka pasur 50 pako kanabis. E ndërsa vijon puna për ccmontimin e divaneve dhe peshimin e lëndës narkotike paraprakisht deklarohet se sasia e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 2 250 kg. Policia ka arrestuar drejtuesin e kamionit, shtetasin maqedonas Aco Nikolovski, 41 vjeç, me banim në Shkup, i cili akuzohet për trafik lëndësh narkotike, ndërsa po punon për zbardhjen e emrave të tjerë të përfshirë në këtë trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Top Channel