Dënohet me 14 vjet burg, vrau vjehrrin e motrës

08/04/2014 00:00

Gjykata e Shkodrës ka dënuar me 14 vjet e 8 muaj burg Ermir Gjergjin, i
cili akuzohet për vrasjen e 67-vjeçarit Zef Ejlli, në fshatin e Gurit të
Zi më 23 tetor të vitit 2013.

Në një seancë me dyer të mbyllura, 29-vjeçari Gjergji ka pranuar përpara trupit gjykues krimin e bërë, ndërsa ka kërkuar mëshirë për atë se çfarë ka ndodhur, duke theksuar se është penduar për çfarë ka bërë. Në pretencën e lexuar para trupës gjykuese, përfaqësuesi i organit të akuzës ka kërkuar shpalljen fajtor të Ermir Gjergjit dhe dënimin e tij me 28 vite burgim për veprën penale të vrasjes me paramendim për hakmarrje dhe dënimin me shtatë vite burg për armëmbajtje pa leje.

Togat e zeza dënuan me 22 vjet burg 29-vjeçarin, por duke qenë se gjykata ka pranuar gjykimin e shkurtuar, Gjergjit i është ulur 1/3 e dënimit, duke u dënuar vetëm me 14 vjet e 8 muaj burg. Zanafilla e këtij krimi ka të bëjë me motrën e autorit që ishte e martuar me djalin e viktimës, ndërsa çifti ndodhet në Amerikë dhe ka dy fëmijë.

Sipas pretendimeve të familjes Gjergji, Albina Gjergji dhunohej nga bashkëshorti, djali i viktimës. Kjo situatë ishte bërë e padurueshme për vëllain e Albinës, ndërsa kishte kërkuar disa herë nga familja Ejlli që të zgjidhin këtë problem, ndërsa mbrëmjen e 23 tetorit të 2013-s ka marrë vendimin fatal, duke ekzekutuar 67-vjeçarin Zef Ejlli, babanë e dhëndrit të tij. Ermir Gjergji do të vuajë dënimin në burgun e Shën Kollit.

Top Channel