Shqiptari vret bashkëjetuesen, humb jetën në një aksident

05/04/2014 00:00

Një shqiptar, pasi ka vrarë bashkëjetuesen e tij moldave, në përpjekje
për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, është aksidentuar duke humbur
jetën.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Modenës, në Itali, ku Astrit Quejvani ka rrahur për vdekje bashkëjetuesen e tij, Valentina Paiuc. Më pas Astriti ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij, kur në autostradë është aksidentuar, duke humbur jetën.

Historia

Sipas mediave italiane, konflikti kishte filluar pak ditë më parë. Fillimisht, mes çiftit shpërthen një sherr i madh, dhe më pas burri e ka dhunuar gruan keqas. Shqiptari e ka rrahur moldaven me grushte e shkelma dhe më pas i ka përplasur kokën në dysheme, mur dhe orenditë e shtëpisë. Ai e ka tërhequr zvarrë në korridor, në vendin që është gjetur nga policia, e mbuluar me gjak. Në momentin që Astriti kupton që bashkëjetuesja ka vdekur, ka marrë autoveturën e saj, një “Volksëagen Polo”, dhe niset për të shkuar larg. Futet në autostradë dhe më pas përplaset me një kamion, duke humbur jetën menjëherë.

Hetimet

Policia lokale tha se ka shumë për të kuptuar rreth kësaj ngjarjeje dramatike, e cila filloi pas një sherri ende të pazbardhur. Në apartamentin ku dhe ndodhi vrasja e shtetases rumune, banonin prej pak kohësh. Kanë qenë fqinjët personat e parë që lajmëruan policinë, pasi kanë dëgjuar gruan që kërkonte ndihmë me të madhe.

Një tjetër pikëpyetje për hetuesit është edhe arratia e autorit. Mësohet se ai ka lënë automjetin e tij “Mercedez” në parking dhe ka marrë automjetin e Valentinës dhe më pas ka dalë në autostradë. Ende nuk dihet nëse aksidenti është provokuar nga 49-vjeçari shqiptar apo si pasojë e ndonjë pakujdesie të drejtuesit të kamionit.

Personi i parë që ka dhënë alarmin ka qenë vajza e Valentinës, një 30-vjeçare që jeton me familjen e saj, e cila ka denoncuar se nuk është lidhur dot me nënën e saj. Në momentin që 49-vjeçarja moldave nuk është paraqitur në punë, vajza ka telefonuar policinë. Hetuesit kanë hyrë në shtëpinë ku gruaja jetonte me shtetasin shqiptar dhe kanë zbuluar trupin e pajetë. Policia fillon kërkimet për bashkëjetuesin shqiptar duke zbuluar pak orë më pas se ai kishte vdekur në një aksident rrugor.

Top Channel