Hetimi i zyrtarëve për korrupsion

05/04/2014 00:00

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është takuar me zyrtarë të lartë amerikanë dhe drejtues të agjencive të rëndësishme. Kryefjalë ka qenë lufta ndaj korrupsionit, si edhe reforma në drejtësi.

Mbi këtë vizitë, Ministri Naço ka folur në një lidhje telefonike në “Revistën televizive të Mbrëmjes”.

Pandi Gjata: Në takimet që keni zhvilluar në SHBA keni marrë mbështetje për të hetuar dhe ndëshkuar zyrtarët për korrupsion. Qeveria juaj ka bërë disa denoncime në Prokurori për disa ish-zyrtarë të lartë të qeverisë së shkuar. A do të kemi hapa të tjerë konkretë në këtë drejtim?

Nasip Naço: Ishte një takim punë me zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë. U takova me zv/Prokurorin e Përgjithshëm. Ndamë mendime të njëjta në lidhje me luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. I bëra një panoramë të shkurtër në lidhje më reformat e marra nga qeveria në lidhje me paketën anti-korrupsion dhe me ndryshimet e tjera që do të bëhen në Kodin e Procedurës Penale. Padyshim asistenca e SHBA është e domosdoshme për ne. Korrupsioni është një fenomen i përhapur në të gjithë administratën shtetërore dhe kjo del edhe nga raporti i fundit i DASH, nga sondazhet e qytetarëve. Jemi të vendosur ta trajtojmë korrupsionin si një krim të rëndë, prandaj kërkuam që të hetohet dhe të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda

Pandi Gjata: Kryefjala në SHBA ka qenë hetimi dhe gjykimi i zyrtarëve të lartë.

Nasip Naço:
Kudo që shfaqet korrupsioni, ligji do të veprojë njëlloj kudo edhe te zyrtarët e lartë. Ne kemi hetim dhe gjykim të zyrtarëve të lartë.

Pandi Gjata: Gjatë takimit me zv/Prokurorin e Përgjithshëm amerikan keni nënvizuar rëndësinë që do të kishte prezenca e FBI në trajnime dhe operacione të përbashkëta. Për çfarë operacionesh bëhet fjalë?

Nasip Naço:
E para në luftën ndaj terrorizmit, kudo që shfaqet ai, e dyta në trajnimin e oficerëve të policisë gjyqësore nga ekspertë të FBI, por edhe në operacione si ndaj krimit të organizuar apo korrupsionit. I kërkova një prezencë të vazhdueshme të këtyre ekspertëve për t’u marrë edhe si model nga specialistët tanë të policisë.

Pandi Gjata: Kemi mësuar se edhe një grup prokurorësh shqiptarë do të trajnohen në SHBA. Ku do të përqendrohet puna e tyre?

Nasip Naço: Besoj që trajnimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë të domosdoshme për ne. Kemi një nivel të ulët të hetimit dhe gjykimit duke e krahasuar me vendet tona partnere. Ky është një lajm i mirë për këto trajnime. Kam kërkuar edhe ekspertë të DEA-s të jenë prezentë në Shqipëri, në trajnime të përbashkëta.

Pandi Gjata: Deklaratat e fundit të BE, por edhe të Uashingtonit janë për reforme në drejtësi. A do të kemi reformë në gjykata, ajo që ju nënvizuat në SHBA?

Nasip Naço: Ne kemi kërkuar që në ditët e para të qeverisë për të reformuar Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Shqiptarët votuan më 23 Qershor sepse ky sistem nuk  tregon integritet, prandaj votuan masivisht. Ne nuk duam të heqim gjyqtarë dhe t’i zëvendësojmë me 5 të tjerë, por duam që reformat të jenë gjithëpërfshirëse. Prandaj edhe unë si ministër i Drejtësisë kam kërkuar të jenë prezentë edhe ekspertë të Komisionit të Venecias. Në Tiranë do të jetë prezent edhe misioni “EURALIUS”, si edhe partnerë të tjerë të rëndësishëm. Në takimin që pata në DASH që ne kemi një mazhorancë të konsoliduar, por kjo nuk do të thotë që përdorim kartonin, por në çdo rast t’i bëjmë reformat me opozitën. Kam deklaruar që ne me opozitën ndahemi në një moment siç është taksa e sheshtë dhe ajo progresive, por nuk duhet të ndahemi te reforma në drejtësi, për të patur një sistem gjyqësorë me integritet. Do të doja të shtoja që pata një takim edhe me 2 kongresmen, Eliot Engel dhe Geri Piters, ku i falenderova për mbështetjen, por kërkova edhe që ata të ndikojnë në lehtësimin e vizave për shqiptarët për të udhëtuar për në SHBA dhe mora fjalën e tyre që ata do të punojnë për këtë çështje, bashkë me të tjerët për lehtësimin e vizave.

Top Channel