Dy familje në ish-serrat e Elbasanit

05/04/2014 00:00

Dy familje në qytetin e Elbasanit jetojnë në kushte ekstreme pas aksionit për prishjen e banesave të tyre, për të cilin akuzojnë një biznes aty pranë.

Këto familje kanë parë si mundësinë e vetme të strehimit ish-serrat e dikurshme të zarzavateve. Për të dytën natë bashkë me fëmijët, ata kanë fjetur në qiell të hapur. Kryefamiljarët thonë se nuk kanë asnjë mundësi tjetër strehimi dhe të dyja familjet jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike nga shteti.

“Ne na kanë dhënë afat për 4-5 ditë nuk ikim do vijë të na nxjerrë policia prap me forcë. Ne këtu kemi 24 vjet që jetojmë, në këtë zonë. Për pjesën ku jetoja, kisha në tapi 1 mijë metër tokë. U shpronësova për 700 metër. Tek 300 metërshi ndërtova banesën. Kur coj dokumentet tek agjencia e legalizimit shoh që prona jonë ishte pronë shtetërore. Nëse policia na lëviz prej këtu, në trotuar do të shkojmë se nuk kemi ku të shkojmë vend tjetër. Kjo është e vetmja zgjidhje e jona. Nuk kemi absolutisht asnjë të ardhur”, deklaron një i prekur nga shembja e banesës së tij.

“Nuk kemi asnjë të ardhur. Do të rrimë kështu. Po vuri shteti dorë mirë, po nuk vuri kështu do rrimë. Mezi kishim ngritur ato banesa, por prej atij biznesi dolëm këtu në rrugë”, shton një tjetër banor i nxjerrë mes katër rrugëve.

“Edhe mbrëmë këtu fjeta edhe sonte këtu. Nëse nuk na gjejnë vend këtu do rri. S’kam të ardhura! S’kam ku të shkoj. Unë e kisha banesën dhe atë që kishim e prishi ai. Përse?”, thotë e përlotur një kryefamiljare.

Këto dy familje që tashmë jetojnë në kushte ekstreme kërkojnë ndihmë nga shteti vetëm një strehë ku të mund të jetojnë.

Top Channel