U aksidentua në stoqet e kromit, nëna apel për ndihmë

04/04/2014 00:00

Një nënë 38-vjeçare në qytetin minator të Bulqizës apelon për ndihmë
financiare për operim, që të bëjë të mundur rritjen e dy fëmijëve
jetimë.

Lule Sollaku, e mbetur e ve para gjashtë vitesh, kur bashkëshorti i saj, Ahmeti, pasi kishte punuar në minierë, emigroi në Greqi si shumë të tjerë, por mbeti i vdekur aksidentalisht, u detyrua të punojë në stoqet e kromit, ngjitur me banesën ku jeton (një dhomë në ish-pallatin e punëtorëve).

Ashtu si shumë gra të tjera të këtij qyteti, që për të zbutur sadopak varfërinë ekstreme të pamerituar u vërsulen këtyre stoqeve, edhe Lulja për çdo ditë vijonte të mblidhte mineralin e kromit, për ta shitur atë për pak lekë, që të mbante me bukë veten dhe dy fëmijët e saj jetimë. Por, fati e deshi që kjo punë të mos vazhdojë gjatë. Puna e rëndë dhe e jashtëligjshme në mbledhjen e mineralit, u bë shkak i aksidentimit të saj në këmbë, gjë për të cilën vuan prej katër vitesh.

“Ka qenë një ditë e zezë për mua, kur duke u fshehur prej policisë, teksa mbaja në krahë edhe gurët e rëndë të kromit që kisha mbledhur, m’u bë sikur m’u këput diçka në këmbë. Prej asaj dite të para katër viteve e deri më sot, kam shkuar nëpër spitale, por siç dhe e shikoni ende nuk kam gjetur shërim. Doktorët në Tiranë më rekomanduan që të operohem, por që realizohet vetëm jashtë shtetit. Kam shkuar në Itali te një kushërirë e imja, ku pasi jam vizituar, më kanë kërkuar tetë mijë euro që të më operojnë. Por unë nuk kam mundësi financiare për të siguruar këtë pagesë, pasi jetoj vetëm me pensionin e fëmijëve prej 79 mijë lekësh të vjetra, në një kohë kur vetëm ilaçet më kushtojnë e pakta 120 mijë lekë të vjetra në muaj. Edhe këtë dhomë, ku jetoj në ish-pallatin e punëtorëve të minierës, nuk e kam timen, por të vëllait. Shpesh më shkon mendja që t’i jap fund jetës, por kush t’i rrisë dy fëmijët e mi jetimë?! Ndaj jam e detyruar që edhe pse më vjen mjaft rëndë, të apeloj për ndihmë, që edhe unë të gëzoj jetën për të rritur dy fëmijët e mbetur jetimë”, tregon Lulja.

Teksa Lulja flet, djali i vogël i saj, Xhoni, vetëm 9 vjeç, i cili nuk ka shkuar në shkollë, sepse ka marrë vesh se do të vijnë gazetarë, ka shprehur dëshirën të apelojë edhe ai për të ndihmuar nënën e tij që të operohet. Krijohet vërtet një situatë mjaft tronditëse për ne, kur 9-vjeçari me kokën poshtë dhe i përlotur shqipton: “Ju lutem ndihmojeni nënën time, …e dua shumë”, dhe mbytet në lot. Për këtë rast është vënë në dispozicion të dhuruesve të mundshëm edhe numri i llogarisë bankare 0000 130 344.

Top Channel