Në treg mund të kapë deri në 2 milion dollarë, por peshkatarja Donna Pascoe nuk ka ndërmend të shesë kryeveprën e karrierës së saj si peshkatare, një peshk ton plot 411.6 kilogram.

Ajo e quan “Pikaso e botës së peshkimit” dhe ka në plan balsamosjen dhe më pas varjen në mur të trofeut të saj të rekordeve.

Gruaja neozelandeze rrëfeu për mediat vendase betejën mes ekipit të saj dhe peshkut të stërmadh që zgjati për më shumë se katër orë në ujërat e Oqeanit Paqësor.

“Filli u tendos fort, sikur të tërhiqej nga një tren, jo nga një peshk. Fillimisht u tremba se mos, si në shumë raste të tjera, peshku do të këpuste fijen dhe do të largohej. Por fatmirësisht ai ndaloi tërheqjen dhe na dha kohë të shtonim më shumë fije”, nis rrëfimin peshkatarja neozelandeze.

Beteja “tërhiq e mos e këput” zgjati plot 4 orë e 11 minuta.

“E dinim që peshkun duhej ta hipnim në bordin e anijes sa më parë, para se ndonjë peshkaqen ta nuhaste dhe të këpuste ndonjë pjesë të tij. Por nga ana tjetër kur shquam përmasat e tij, ishim të vendosur dhe të duruar për të mos e lënë atë të na ikte”, shton ajo.

E kështu beteja përfundoi me fund të lumtur për skuadrën e peshkatarëve dhe të hidhur për peshkun, më i madhi i këtij lloji i kapur ndonjëherë dhe i regjistruar. Ai është dy herë më i madh se sa peshku që mbante rekordin deri më tani dhe i shitur për 1.09 milion dollarë në një ankand në Japoni vitin e kaluar.   

FOTO GALERI
2/3

Top Channel