Një mësues i shkollës së mesme profesionale “Thoma Papapano”, në
Gjirokastër, i vuri zjarrin vetes të premten, në prani të drejtorit të
shkollës dhe disa kolegëve, pasi më parë kishte spërkatur veten me
benzinë.

Laze Hashorva, 60 vjeç, mësues i praktikave në lëndën hidroteknike në këtë shkollë, sipas kolegëve, kishte mbërritur i tensionuar në ambientet e shkollës. 5 minuta para fillimit të orës së parë të mësimit, ai ka hyrë në zyrën e drejtorit, ku dhe ka ndodhur ngjarja.

Hashorva ka marrë plagë serioze në fytyrë dhe trup, megjithëse disa kolegë dhe drejtori i shkollës kanë arritur në pak sekonda të shuajnë flakët. I lënduari është transportuar me urgjencë në spitalin e Gjirokastrës.

Policia, që ka nisur hetimet për këtë ngjarje ka marrë dëshmi dhe të gjithë dëshimtarëve në vendngjarje, ndërsa mësohet se janë pyetur edhe të paktën 5 kolegë të tjerë të mësuesit.

Sipas njërit prej mësuesve, arsyeja e debatit me drejtorin ishte reduktimi i vazhdueshëm i nxënësve në degën hidroteknike. Ai ka akuzuar se drejtoria ka orientuar regjistrimet e reja për këtë vit në degë të tjera, duke rrezikuar mbylljen e kësaj dege dhe për pasojë, mesa duket dhe rrezikimin e vendit të punës për ta.

Në shkollën profesionale industriale në Gjirokastër, studiojnë aktualisht 177 nxënës. Vitet e para kanë patur numër kritik nxënësish dhe dega e hidroteknike është celur vetëm me 8 nxënës, për këtë vit mësimor.

Top Channel