Nga ishulli i Korfuzit në Katania, në brigjet lindore të ishullit të
Siçilisë. Ishte ky itinerari i peshkarexhës Giammarco, e cila sapo hyri
në ujerat territoriale u ndalua nga policia, që po e ndiqte prej kohësh.

Në bordin e peshkarexhës, u gjeten 125 thase me marijuhanë, gjithsej dy tonë. Hetuesit deklarojnë se lënda narkotike ka shumë mundësi të jetë e prodhuar në Shqipëri dhe se ky operacion, që ka marrë emrin “Luna Rossa” si nja barkë e famshme sportive italiane, është vetëm maja e aisbergut.

Peshkarexha 12 metra e gjatë është sekuestruar dhe janë arrestuar tetë persona, të gjithë siçilianë. Ata po mbaheshin prej kohësh nën kontroll dhe udhëtimi i peshkarexhës nga Greqia, ishte ndjekur nga mjete ajrore të policisë italiane. Droga e kapur ka një vlerë prej 10 milionë eurosh.

Është llogaritur që në rast se do të hidhej në treg ajo do të sillte një fitim marramendës prej të paktën 30 milionë eurosh. Kjo sasi droge e kapur konsiderohet si ndër më të mëdhatë e sekuestruara në Itali dhe tani hetuesit po punojnë për të zbuluar anëtarët e tjerë të  organizatës së trafikantëve.

Top Channel