E mitura ikën nga shtëpia me të njohurin, denoncim për përdhunim

04/04/2014 00:00

Një aventurë e moshës ka përfunduar keq për një vajzë të mitur, ndërsa
policia ka vënë në pranga një person dhe në kërkim një tjetër

E joshur nga dëshira për të jetuar jetën, larg varësisë nga autoriteti prindëror dhe mentaliteti i fshatit, një 15-vjeçare ka vendosur të rebelohet, duke u larguar nga shtëpia me një bashkëfshatar. Vajza ka lënë shtëpinë e saj gjatë muajit mars.

Familja e ka denoncuar largimin e vajzës nga banesa pranë policisë lokale, ndërsa policia, me të marrë denoncimin e ka shpallur në kërkim. Për disa ditë, policia nuk ka rënë në gjurmë të saj, ndërsa një ditë më parë ajo është paraqitur në polici. Në prani të psikologes, e mitura ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë së Shijakut ndaj bashkëfshatarit, me të cilin ishte larguar nga fshati.

Sipas burimeve policore, e mitura ishte shpallur në kërkim gjatë muajit mars të këtij viti për largim nga banesa dhe sipas deklarimit të bërë në polici, pas gjetjes së saj, ajo ishte larguar së bashku me shtetasin A.L., 27 vjeç. E larguara pohon se e ka ndërmarrë këtë veprim me dëshirën e saj. Pas largimit nga fshati, të dy kanë shkuar në kryeqytet.

Në Tiranë, ndryshe nga sa e kishte menduar aventurën e ikjes nga shtëpia, 27-vjeçari ka kërkuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Vajza në denoncimin e saj ka pohuar se nuk ka dashur të kryejë marrëdhënie seksuale, por kur ka refuzuar është përballur me dhunimin seksual dhe në pamundësi për të reaguar, i është nënshtruar. Pas denoncimit të vajzës, policia shpalli në kërkim 27-vjeçarin, ndaj të cilit ka ngritur akuzën e kryerjes së veprës penale “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”.

Nëse kjo akuzë provohet, 27-vjeçari në kërkim rrezikon dënimin me burg nga 5 deri në 15 vjet. Ndërkohë, burime policore bëjnë të ditur se mbetet për t’u provuar pjesa e dhunimit seksual të denoncueses, pasi denoncimi mund të ndikohet edhe nga frika e kthimit pranë familjes, po kjo pritet të zbardhet gjatë hetimit të rastit. Ndërkohë, në pranga, lidhur me ngjarjen është vendosur një 33-vjeçar, i cili nga hetimet paraprake dhe deklarata e së miturës rezulton se ka pasur dijeni mbi ngjarjen, por nuk ka bërë deklarime në polici. Arrestimi i tij nën akuzën e “moskallëzimit të krimit” është bërë menjëherë pas gjetjes së 15-vjeçares dhe denoncimit të saj.

Top Channel