Heqja e TVSH-së për ilaçet që nga data 1 prill ka krijuar konfuzion dhe
kaos tek farmacitë, pasi nga njëra anë pacientët kërkojnë t’u shiten
medikamente 10 % më lirë, por nga ana tjeter kane filluar mungesat ne
furnizime.

Farmacistët thone se jane duke tregtuar pa TVSH vetëm medikamentet e listës se rimbursueshme, ndonese nuk kane nje udhezim te qarte nga Ministria e Financave apo Drejtoria e Tatimeve, sesi do te procedohet,pasi për këto medikamente është paguar TVSH në doganë.

“Eshtë situatë e paqartë. Sipas udhëzimit të fundit nga Ministria e Financave thuhet që gjithë stoku duhet të shitet me TVSH. Aktualisht po na vijnë fatura ku stoku vjen me TVSH, përveç medikamenteve që futen në rimbursim, sikurse ka dalë lista me datën 1 prill, që po shiten pa TVSH”, thotë Jorkeda Lelaj, farmaciste.

“Ne për momentin po funksionojmë sipas librit të ri të barnave të rimbursuara. Kemi patur kontroll dhe nga tatimet për marrjen e inventareve si stok magazine, por asnjë lloj përgjigje që a do të kemi kreditim TVSH-je, kthim mbrapsht apo ndonjë gjë të kësaj natyre”, thotë Florian Marku, farmacist.

Hyrja ne fuqi e ligjit per heqjen e TVSH-së ka krijuar mungesa me medikamente në tregun farmaceutik, pasi grosistët kanë lënë të  bëjnë furnizime pas dates 1 prill me qellim qe te çlirohen nga TVSH 10 %

“Ka mungesa, sepse përderisa po fillohen të vendosen pullat e reja pa TVSH, ne treg ka shumë mungesa në medikamente”, thotë Lelaj.

“Për pjesën e barnave që a janë të gjitha të plota sipas listës së barnave, ka mungesa për momentin, sepse shumë kompani farmaceutike e kanë lënë që pas datës 1 prill të marrin importet e reja me TVSH-në zero”, shprehet Marku.
 
Ndërkohë, pas një mbeldhje të zhvilluar në orët e pasdites, Ministria e Financave ka dalë me një udhëzim ku përcaktohet se, duke filluar nga data 1 prill të gjitha barnat e importuara dhe prodhuara në vend, të pajisura me pullën e kontrollit, me çmimin me TVSH 10%, të cilat janë gjendje në subjektet farmaceutike deri në 31 mars, do të shiten me TVSH 0, pavarësisht nga masa e TVSH-së e shënuar në pulle.

Sipas këtij udhëzimi, të gjithë tatimpaguesit farmaceutikë duhet të inventarizojnë gjendjen e stokut të tyre për barnat që mbajnë pullën me TVSH dhe t’ua dorëzojnë atë në format elektronik ose të shkruar administratave rajonale tatimore deri në datën 20 prill të këtij viti, pasi vlera e TVSH-së e mbartur nga barnat stok do të shuhet gradualisht në proceset e kreditimit dhe debitimit të TVSH-së.

Top Channel