Përgjysmohen të ardhurat e emigrantëve

02/04/2014 00:00

Ekonomia vendase nuk është më e njëjta pas tkurrjes se një burimi shumë të rëndësishëm që furnizonte xhepat e shqiptarëve vite me radhë; remitancat.

Kriza financiare dhe ekonomike e vendeve fqinje, si Italia dhe Greqia kanë ndikuar shumë në rënien e parave të dërguara nga emigrantët në vendlindje. Sipas Bankës së Shqipërisë, në vitin 2013 remitancat kanë shënuar nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit.

Të dhënat krahasuese flasin për një përgjysmim të tyre. Nëse në vitin 2007 paratë e emigrantëve të dërguara në Shqipëri arritën në 953 milion euro, në vitin 2013 ato kanë shkuar në 497 milion euro.

Cfarë ka dëmtuar një prej burimeve më të mëdha të të ardhura të shqiptarëve?

Ekspertët analizojnë se shkak për këtë së pari është maturimi i emigracionit, që do të thotë se nëse në 10-vjecarin e parë të masivizimit të këtij fenomeni, nga vitet ‘90 deri në fillim të vitit 2000 emigronin kryesisht meshkuj; në 10-vjecarin e dytë e me tutje flitet për familje të emigruara.

Kjo ka bërë që nëse në fillim emigrantët dërgonin para për të mbajtur gjithë familjen, më vonë dërgonin para vetëm për prindërit e tyre, detyrim i cili ka ardhur drejt zerimit për shumë syrësh.

Një faktor tjetër gjithashtu që ka ndikuar tek remitancat është kriza ekonomike e 2008-ës, ku vetëm në Greqi përllogaritet që niveli i papunësisë të ketë shkuar rreth 27 % të numrit të popullsisë aktive për punë, ndërkohë që papunësia tek emigrantët përllogaritet të jetë më e lartë.

E gjithë kjo situatë që ka ndikuar uljen e remitancave, ka bërë që të rritet niveli i varfërisë në Shqipëri, ndërsa janë dëmtuar sektorë të rëndësishëm që ndihmoheshin shumë nga paratë e emigrantëve, sic është ndërtimi, i cili aktualisht është në krizë.

Top Channel