U nisën me skaf nga Korfuzi drejt Dubrovnikut, dy kroatë pësojnë dëmtime nga kushtet atmosferike dhe transportohen drejt spitalit të Vlorës
Mosinteresimi i askujt për kufomën e gjetur rreth një javë më parë në
autostradën Lushnjë-Fier dhe për skeletin e zbuluar tri javë më parë në
afërsi të rrugës automobilistike në Qafën e Koshovicës në periferi të
qytetit të Fierit, ka detyruar ekspertët e Mjekësisë Ligjore që t’u bëjë
apel publikisht familjarëve që kanë njerëz të humbur, të shkojnë në
morg për të bërë identifikimin.
Ndërkohë, ekspertimi i mjekoligjorëve ka konstatuar në faktin se të paktën personi, kufoma e të cilit u gjet në një kanal në anë të autostradës Lushnjë-Fier, është vrarë, pasi i mungon koka dhe dy gjymtyrë.
Sipas ekspertëve, dyshohet se viktima që i përket seksit mashkull është goditur nga ndonjë automjet e më pas është hedhur në kanalin ku u gjet.
Kufoma
Sipas ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, kufoma që u gjet në autostradën Lushnjë–Fier më datë 28 mars, rezulton të jetë pa kokë e gjymtyrë. Mësohet se kufomës i mungon këmba e majtë dhe një dorë. Ekspertët kanë pohuar për mediat se mungesa e kokës e ka bërë të vështirë identifikimin dhe për këtë arsye kërkojnë ndihmën e familjarëve që rezulton t’u jetë zhdukur ndonjë person i seksit mashkull gjatë muajve të fundit.
Ndërkohë, ekspertët mjekoligjorë kanë dhënë edhe detaje të karakteristikave fizike dhe të moshës së viktimës. Ata janë shprehur se viktima i përket seksit mashkull dhe është rreth 30 vjeç. Ndërkohë që është rreth 1.75 metër i lartë. Viktima ka pasur të veshur disa bluza me mëngë të shkurtra, dy xhupa dhe tre palë pantallona. Ndërkohë në xhepa i janë gjetur një qese me duhan, një lugë, një prerëse thonjsh dhe një stilolaps.
Nga akt-ekspertimi rezulton se personi të cilit i përket kufoma ka ndërruar jetë të paktën dy muaj më parë. Sipas policisë, dyshohet se ai është viktimë e ndonjë aksidenti të ndodhur në fund të muajit dhjetor. Kjo, pasi në pantallonat e tij janë gjetur edhe gjurmë të gomave të mjetit që e ka shtypur teksa ka qenë duke ecur në autostradë. Mendohet se drejtuesi i mjetit që e ka aksidentuar e ka hedhur më pas në kanal të vrarin, me qëllim që të humbiste gjurmët e krimit. Për të paktën dy muaj, kufoma e 30-vjeçarit ende të paidentifikuar ka qenë objekt i sulmit të qenve të rrugës, të cilët mendohet se i kanë shkëputur kokën dhe gjymtyrët që kanë qenë të dëmtuara edhe prej aksidentit. Gjithashtu, dekompozimi ka qenë në një stad të avancuar. Ekspertët e morgut të Lushnjës kanë pohuar se kufoma është dërguar në morgun e Tiranës për të kryer analizën e ADN-së. Ata kanë bërë apel për paraqitjen e gjithë familjarëve, të cilët kanë njerëz të humbur, me qëllim mundësimin e identifikimit të kufomës.
Skeleti
Rreth tri javë më parë, një banor i zonës në Qafën e Koshovicës zbuloi një skelet njeriu brenda një grope me ujë që ndodhej në skajin e ngastrës së tokës së tij. Ai lajmëroi menjëherë policinë, e cila e transportoi skeletin njerëzor për në morgun e Spitalit të Fierit për ekspertim.
Sipas burimeve të policisë, nga akt-ekspertimi ka rezultuar se skeleti i përket një personi të seksit mashkull, në një moshë rreth 60 vjeç. Për shkak se në skelet nuk kanë mbetur më pjesë të muskujve dyshohet se personi të cilit i përket ka ndërruar jetë të paktën gjashtë muaj më parë.
Pranë skeletit janë gjetur disa tesha, një bluzë ngjyrë gri me vija të zeza, si dhe një bastun që mendohet se viktima e ka përdorur për të ecur. Skeleti u gjet në një gropë me ujë dhe dyshohet se viktima mund të ketë shkuar aty për të mbushur ujë dhe është rrëzuar e më pas mbytur. Vendi ku u gjet skeleti është disa dhjetëra metra larg rrugës nacionale Fier-Levan.
Hetimet
Në të dyja rastet, policia ka ngritur dyshimet se vdekjet e personave ende të paidentifikuar, kufomat e të cilëve janë gjetur disa kilometra larg njëri-tjetrit, mund të jenë vrarë nga dikush tjetër ose të jenë aksidentuar. Për rastin e kufomës së gjetur në autostradën Lushnjë-Fier, tashmë policia ka siguruar prova që ngrenë dyshime të forta për një aksident që i ka marrë jetën 30-vjeçarit të paidentifikuar.
Policia po heton në disa pista për mundësimin e identifikimit të kufomave. Burime të bluve bëjnë të ditur se viktimat mund të kenë qenë endacakë dhe mund t’i kenë shkëputur prej kohësh marrëdhëniet me familjarët. Por, aksidenti që i ka marrë jetën 30-vjeçarit të gjetur të dekompozuar në kanal përgjatë autostradës Lushnjë-Fier, është një provë që vërteton se ai nuk ka qenë banor i zonës, pohojnë burimet e policisë.
Kjo, pasi në të kundërt do të kishte pasur interesim të të afërmve të tij. Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar, në Rrethin e Fierit është denoncuar si e humbur vetëm një femër rreth 55 vjeçe. Gjithashtu, nuk ka pasur asnjë të moshuar të seksit mashkull rreth të 60-ave që të jetë zhdukur. Burimet e policisë pohojnë se, këto fakte kanë ngritur edhe dyshimet se kufoma dhe skeleti mund t’u përkasin klandestinëve me origjinë nga Lindja e Mesme që vijnë prej Greqisë për të shkuar në Mal të Zi e më pas në vende të tjera të Europës Perëndimore. Kjo, pasi shpeshherë janë ndaluar grupe klandestinësh, të cilët ecin përgjatë rrugës nacionale drejt veriut të vendit.
Top Channel