Ulet gjysma e dënimit i përdhunuesit të 13-vjeçares

01/04/2014 00:00

Një i ri i akuzuar për përdhunimin e një vajze 13 vjeçe në Korçë ka
përfituar ulje të gjysmës së dënimit nga Gjykata e Apelit, pasi i ka
ndryshuar akuza.

Bëhet fjalë për Nikolin Samarën, i cili asnjëherë nuk e kishte pranuar akuzën e ngritur nga 13-vjeçarja, duke u shprehur se me atë ka pasur lidhje dashurie dhe që e kishte gënjyer për moshën.

Gjykata e Apelit në Korçë, duke marrë parasysh pretendimet e Samarës, ka vendosur 4.5 vjet burg për të nga 10 vjet heqje lirie, që kishte dhënë gjykata e shkallës së parë e këtij rrethi. Samara u akuzua se një vit më parë përdhunoi një 13-vjeçare, por në Gjykatën e Apelit u paraqitën prova që ndryshuan akuzën ndaj 30-vjeçarit, nga përdhunim në marrëdhënie seksuale me të mitur. Nikolin Samara u arrestua nga policia e Korçës në mars të vitit të kaluar, pas denoncimit të 13-vjeçares, e cila e akuzoi se e kishte marrë me forcë në një banesë në fshatin Mborje dhe më pas e kishte përdhunuar.

Në atë kohë, 13-vjeçarja M. Grazhdani ka rrëfyer në praninë e prindërve dhe një psikologu gjithë ngjarjen dhe ka akuzuar 26-vjeçarin Nikolin Samara se e ka përdhunuar për orë të tëra, duke e kërcënuar.

“Ishte ora diku 17:00 e pasdites dhe bashkë me një shoqe shkuam të merrnim një shoqe tjetër për dalë. Unë po rrija në rrugë, ndërsa shoqja ime shkoi te pallati afër. Në ato momente kalon Nikolini me makinë, pasi prej kohësh më ngacmonte dhe më ndiqte këmba-këmbës. Ai më tha të hipja në makinë, por unë nuk pranova. Më goditi në fytyrë dhe më pas me forcë më hipi në makinën e tij dhe shkuam në fshatin Mborje. Gjatë gjithë kohës isha e frikësuar dhe doja të bërtisja, por ai më kërcënonte. Kur mbërritëm në Mborje dikush i solli një çelës të banesës dykatëshe ku edhe më çoi dhe kreu marrëdhënie seksuale me dhunë, pa dëshirën time. I kërkova që të ndalonte dhe të më kthente në banesë, por ai kurrsesi nuk e pranonte një gjë të tillë. Bëri seks me mua dhe nuk pranonte të më çonte në shtëpi edhe pse i përgjërohesha pambarimisht”, ka deklaruar në prokurori e mitura.

Nga ana tjetër, 26-vjeçari Nikolin Samara ka deklaruar në polici se vajza gënjen nga frika e prindërve dhe se kishin një lidhje prej 11 muajsh. “Nuk e kam marrë kurrsesi jashtë dëshirës së saj. Unë dhe M. kishim një lidhje sentimentale prej 11 muajsh dhe shkoja shpesh e merrja me makinë. Nuk ishte hera e parë që kishim kryer marrëdhënie seksuale së bashku, por në të gjitha rastet me dëshirën e saj. Herën e fundit shkova si gjithnjë e mora në telefon dhe ajo doli, ikëm në një shtëpi në Mborje, por edhe këtë herë ajo erdhi vetë dhe me dëshirë. Aty i binte telefoni nga familja, por ajo nuk e hapte, i thosha ta hapte ose t’i merrte me telefonin tim, por nuk pranoi. Nuk e di pse po gënjen dhe po sajon një gjë të tillë. Mendoj se do jetë përplasur me familjen dhe nga frika për t’u shpëtuar atyre ka sajuar këtë gënjeshtër të rrëmbimit dhe përdhunimit. U befasova nga dëshmia e saj, por është e gjitha e rreme. E vërteta do dalë, kam besim te drejtësia”, ka deklaruar Samara.

Top Channel