Spital për të dënuarit e sëmurë

01/04/2014 00:00

Pas më shumë se një dekade që ishte shndërruar në një problem madhor për
drejtësine shqiptare, më në fund edhe në Shqipëri do të ketë një spital
të psikiatrisë ligjore.

Aktualisht jane 120 persona te dënuar për vepra te ndryshme kriminale, te cilet, per mungese te nje klinike te specializuar per te qendruar ne kushte kurimi, vuajnë dënimin në burgjet bashkë me të tjerët.

“Kjo është shkelja më e rëndë e të drejtave të njeriut, që vazhdon që nga dita që është konstatuar nga Avoakti i Popullit, që 12 vjet më parë. Edhe sot që flasim janë mbi 120 persona, të cilët gjenden në të ashtuquajturit spitale të burgjeve, por që në të vërtetë janë në regjim burgu”, tha Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Spitali i Mjekesise Ligjore do të ndërtohet në ambientet e ish-regjimentit të Kimisë në Shishtufinë në Tiranë,deri me tani në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas ministrit të Shendetesise Ilir Beqja, me mbeshtetjen e Bashkimit Europian do të behet e mundur ndërtimi menjëherë i ketij spitali, sipas parametrave të duhura.

“Nuk ishte vetëm cështja për të gjetur një territor, por duhet të plotësonte diastancën nga qyteti, aksesi me rrugë të rregullt, me infrastrukturë me transport publik dhe ndërkohë jemi duke diskutuar me Komisionin Europian të mund të gjejmë edhe financimet për të nisur ndërtimin e këtij spitali, sigurisht bashkë me kontributin buxhetor që duhet të japë Qeveria Shqiptare”, tha Beqja.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli tha se me ambiente te tilla do t’i vihet ne ndihme nevojave te komunitetit.

“Të gjitha pronat që kanë dalë nga plani i përhapjes, në rradhë të parë do të shërbejnë në funksion të nevojave të Komunitetit, tek strehimi i popullsisë rome, por edhe asistencave për ndërtimin e shkollave, kopshteve, qendrave shëndetësore”, tha Kodheli.

Përfaqësues të Bashkimit Europian e kanë konsideruar shume te rëndësishëm një projekt të tillë aq më teper, kur bëhet fjalë për respektim të të drejtave të njeriut.

Top Channel