Komisioni miraton marrëveshjen me FMN

01/04/2014 00:00

Komisioni i Ekonomisë miratoi marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për huanë prej 331 milion eurosh që ky institucion do të japë për vendin tonë në këmbim të disa reformave që vlerëson si të domosdoshme.

Për kreun e këtij Komisioni, Erjon Braçe u verifikua fakti se: “Në Memorandumin mes Qeverisë së Shqipërisë dhe FMN, nuk bëhet fjalë për rritje të tatimeve e taksave të natyrave të ndryshme; nuk bëhet fjalë për rritje të moshës së pensionit, por bëhet fjalë për një reformë të skemës së pensioneve. “Në Memorandumin mes Qeverisë së Shqipërisë dhe FMN, bëhet fjalë për një reformë të plotë të tregut të energjisë elektrike që synon të luftojë grabitjen e energjisë, uljen e humbjeve në rrjet, rritjen e arkëtimeve duke mos toleruar mospagimin e energjisë së konsumuar si dhe një reformë të tarifave të energjisë elektrike.

Gjatë ditës, punimet në Komision janë karakterizuar nga debate të forta pro dhe kundër kushteve të marrëveshjes mes Ministrit të Financave,
Shkëlqim Cani, që shpjegoi arsyet se përse, sipas Qeverisë, marrëveshja
ishte e detyrueshme dhe deputetit të Partisë Demokratike, Ridvan Bode. 

“Kriza ekonomike dhe financiare globale nuk u trajtua me kujdesin e duhur, nuk u pat një ide e qartë nga Qeveria e shkuar lidhur me efektet dhe me kohështrirjen e saj, ndërkohë që të ardhurat e buxhetit ishin në rënie, nga viti në vit, për shpenzimet u bë kujdes që të rriteshin nga viti në vit. Sidomos në vitin elektoral, u hoq dorë dhe nga kufijtë e borxhit. Krahas këtyre prishjeve dhe këtyre degradimeve në ekonominë shqiptare, në fakt u krijua dhe një borxh i fshehtë 5.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha Cani.

Opozita në parim është shprehur pro lidhjes së një marrëveshje me Fondin. Por ish-ministri i Financave, Ridvan Bode thotë se marrëveshja e lidhur nga Qeveria dhe kushtet që Qeveria ka marrë përsipër do të jenë shkatërruese për ekonominë.

“Përmes kësaj marrëveshje, shqiptarët detyrohen të paguajnë kosto të reja shtesë,që vijnë pikërisht prej mosqeverisjes së vendit, prej qeverisjes së vendit dhe prej kaosit në të cilën ka vepruar qeverisja, deri në këtë periudhë 6-mujore”, tha Bode.

Pika më e nxehtë e marrëveshjes lidhet me konsolidimin fiskal dhe vënien e borxhit publik nën kontroll. Demokratët thonë se Qeveria është angazhuar para FMN-së, 10 taksa, çmimin e energjisë si dhe moshën e daljes në pension.

“Në aneks të kësaj marrëveshje, në raportin që i është prezantuar Bordit ekzekutiv, nga ana e stafit të FMN-së, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare janë identifikuar rreth 10 taksa të reja, të cilat do të vendosen nëse efektet e paketës fiskale të miratuara në muajin dhjetor nuk duhet të jenë ato që ka pretenduar dhe ka kërkuar Qeveria shqiptare. Kjo është e sigurt tashmë që këto taksa dhe masa do të ndërmerren”, tha Bode.

“Flisni për 10 taksa dhe që në kokë të tabelës thuhet ‘taksat të mundshme, në rast së dështon skenari për të cilin kemi rënë dakord’. Asnjë taksë nuk do të rritet për qytetarët e Republikës së Shqipërisë, në bazë të kësaj marrëveshje”, tha Braçe.

“Gjithçka që është përvijuar, jo për faj të Fondit, por për shkak të analizës dhe konstatimit që Fondi, masat e propozuara për të ballancuar objektivat e Qeverisë janë jashtëzakonisht të dhimbshme për qytetarët, shkatërruese për biznesin dhe të dëmshme për ecurinë afatmesme dhe afatshkurtër të ekonomisë së vendit”, tha Bode.

“Jeni ju përgjegjësi për këtë gjë dhe veçanërisht për vitin 2013, jeni ju përgjegjësi për thellimin e nivelit të borxhit publik. Qershor, korrik, gusht dhe shtator janë 230 milionë dollarë të pambledhura. Keni marrë borxh paratë e qytetarëve shqiptarë. Keni marrë borxh paratë e sipërmarrjes, të flisni ju, për klimë mosbesimi të investitorëve përkundrejt një Qeverie që ka vetëm 6 muaj që ka marrë në dorë administrimin e shtetit, kur i keni bërë këtë dëm kolosal sipërmarrjes private, është vërtet absurde”, tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe.

Opozita ka kërkuar që para se Kuvendi të votojë marrëveshjen, Komisioni të thërrasë për dëgjim shoqatat e biznesit dhe ato të konsumatorëve.

“Ne mendojmë që ky Komision duhet të thërrasë palët e interesuara, për t’i dëgjuar lidhur me efektet çfarë do të prodhojë marrja përsipër e këtij angazhimi dhe detyrimi do të vendoset, do të votohet në Kuvendin e Shqipërisë. Marrëveshja nuk është vetëm dy letra, marrëveshja nënkupton kushtet, thelbi i marrëveshjes janë kushtet, nuk janë paratë, sepse vetë disbursimi i parave nënkupton plotësimin një pas një të kushteve në afatet kohore”, tha Bode.

“Stafi i Komisionit kontaktoi me Dhomën Amerikane të Tregtisë dhe tha nuk kemi kërkuar të paraqitemi në Komision. Kontaktuam me Dhomën e Tregtisë së Tiranës dhe tha se as kam dijeni dhe as kam kërkuar të vij në Komisionin e Ekonomisë”, tha Braçe. 

Top Channel