Kërkimet për “Boeing 777”

30/03/2014 00:00

Familjarët e pasagjerëve kinezë të avionit të “Malaysia Airlines” mbërritën në Kuala Lumpur, tejet të revoltuar me zyrtarët malajzianë.

Me thirrjet “na tregoni të vërtetën”, ata kërkojnë që kryeministri të kërkojë ndjesë për “deklaratat kontradiktore”.

Në konferencën për shtyp, ata thanë “na dorëzoni vrasësit, na ktheni të afërmit tanë”. Përfaqësuesi i tyre, Xhiang Hui, shpjegoi se “ata kërkojnë të dëgjojnë ndjesën publike të autoriteteve, veçanërisht për deklaratën e kryeministrit Naxhib Razak, – sipas së cilës, – avioni ishte rrëzuar dhe nuk kishte të mbijetuar”.

Ata janë të mendimit se kjo është thënë pa u mbështetur “në fakte konkrete dhe pa pikë përgjegjshmërie”.

Të afërmit e pasagjerëve kinezë kërkojnë të takohen ballë për ballë me përfaqësuesit e kompanisë ajrore dhe qeverisë së Malajzisë.

Të shtunën, ministri i Transporteve, Hishamudin Husein, tha se “operacioni për kërkimin e të mbijetuarve do të vazhdojë”. “E kam thënë shpesh – tha ai, – se po shpresojmë përtej shpresës”.

Për të dytën ditë më rradhë, zyrtarët malajzianë anuluan dhënien e informacionit për operacionet e kërkimit. Përfundimi i tyre, mbështetur mbi të dhënat satelitore, është se avioni ka rënë në det, diku në pjesën jugore të Oqeanit Indian. Por, deri tani nuk ka asnjë gjurmë prej tij.

Të shtunën, një anije kineze dhe një australiane zbuluan disa objekte në zonën e re të kërkimit, që ndodhet 1850 km në perëndim të Perth-it, por nuk i përkisnin “Boeing 777”. Në ditët e ardhshme, një anije australiane, në të cilën është vendosur një aparaturë, e njohur si “lokalizuesi i tingullit”, do të bëhet pjesë e operacioneve të kërkimit.

Pajisja, e prodhuar në SHBA, mund të zbulojë sinjalet ultrasonike të avionit dhe funksionon deri në 6000 metra thellësi. Zona e kërkimit mbulon 319 mijë km2 dhe koha e baterive mund të përfundojë brenda një jave. Avioni me 239 pasagjerë në bord, që kishte si destinacion Pekinin, u zhduk më 8 Mars.

Top Channel