Në ditën e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta, eshtrat e Eqrem Bej Vlorës u prehën në Kaninë të Vlorës, pas sjelljes së tyre pak ditë më parë nga Vjena, me interesim të qeverisë shqiptare dhe kontributin e të afërmes së Beut të fundit, Hana Këlcyra.

“Ishte krejt normale që të bëhej në Kaninë, sepse familja e tij vjen nga këtu. Gjë kryesore për mua ishte se edhe Islmail Beu, xhaxhai i tij, pas vdekjes në Itali u varros atje dhe vetëm më vonë është sjellë nga Mbreti Zog këtu. Kjo është arsyeja që po e shpie në Këlcyrë. Janë 15 personalitete që kanë kontribuar për historinë e Shqipërisë, që mjerisht prehen jashtë shtetit”, tha Hana Këlcyra, e afërme e Beut.

Pas homazheve në shtëpinë e tij në Vlorë, ku mes të tjerësh ishte e pranishme edhe e bija e Eqrem Bej Vlorës, eshtrat u çuan në tyrbën e Shehajve, ku u përcoll me ceremoni fetare. Një grup dashamirësish kontribuan në realizimin e varrit monumental.

“Eqrem Bej Vlora është një figurë e jashtëzakonshme e letrave shqiptare, e kulturës shqiptare. Rikthimi i tij në atdhe është shumë i rëndësishëm, sepse nuk nderohen thjesht Eqrem Bej Vlora, por nderohet një nga familjet, e cila për 500 vjet ka bërë historinë e Shqipërisë dhe të Vlorës, me të mirat dhe të këqijat e saj”, u shpreh Auron Tare, nga Forumi i Trashëgimisë Kulturore.

Eqrem Bej Vlora, politikan, diplomat, historian dhe shkrimtar, u lind në Vlorë në 1885-n dhe u nda nga jeta në Vjenë në 1964-n.

Top Channel