Një 27-vjecar ka mbetur i vdekur dhe dy persona të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i një granate në fshatin Tokëz të Librazhdit.

Sipas informacioneve të policisë dy vëllezërit dhe xhaxhai i tyre kishin shkuar të mblidhnin hekura për skrap në një ish-repart demontimi në Malin Zgarë.

Shpërthimi i granatës ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 27-vjecarit Arben Dosku, ndërsa janë plagosur Lavdërim Dosku 45 vjeç dhe Alfred Dosku 21 vjeç. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Librazhdit nga ku bëhet e ditur se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas hetimeve të para mendohet se 27-vjeçari e ka goditur aksidentalisht granatën, cka ka shkaktuar shpërthimin e saj dhe vdekjen e tij të menjëhershme, ndërkohë që vëllai i tij dhe xhaxhai kanë qenë në një distancë më të largët dhe kanë mbetur të plagosur.

Vendi i cili dikur kishte shërbyer për demontimin e armatimeve nuk ka pasur asnjë sinjalizimin që të paralajmëronte për ndonjë rrezik të mundshëm.

Policia po heton në vendngjarje për zbardhjen e plotë të shkaqeve të shpërthimit, ndërkohë që nga shpërthimi i fortë trupi i viktimës është copëtuar dhe ende nuk është mundur të dërgohet pranë familjes. Gjithashtu pritet stabilizimi i gjendjes shëndetësore të dy të plagosurve për t’u marrë më pas në pyetje nga policia.

Kushtet e vështira ekonomike detyrojnë mjaft të rinj dhe jo vetëm, të ndërmarrin nisma të rrezikshme për të siguruar bukën e gojës. Mbledhja e skrapit dhe e kromit jashtë të gjitha kushteve të sigurisë u ka kushtuar jetën mjaft personave vitet e fundit.

Top Channel