Ukraina, takim Kerry-Lavrov

29/03/2014 00:00

Telefonata e së premtes Obama-Putin ka vënë në lëvizje diplomacinë në aksin Shtetet e Bashkuara të Amerikës-Rusi për zgjidhjen e krizës ukrainase.

Sekretari i Shtetit, John Kerry u detyrua të anulojë në minutat e fundit fluturimin e tij nga Lindja e Mesme për në Uashington dhe të ndërrojë kurs me drejtimin e ri; Parisin. Pikërisht në kryeqytetin francez, kryediplomati amerikan do të zhvillojë një takim me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov të dielën në mbrëmje.

Më herët Rusia ‘qetësoi’ komunitetin ndërkombëtar duke deklaruar se nuk ka ndërmend dhe as plan që të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë.

Në një intervistë për televizionin shtetëror, Rossiya 1 të shtunën, kryediplomati rus tha: “Absolutisht nuk kemi ndërmend apo interes për të kaluar kufirin ukrainas, por jemi gjithnjë të gatshëm për të mbrojtur banërt rusisht-folës në Ukrainë duke përdorur të gjitha mjetet ligjore dhe diplomatike”.

Mediat në Moskë raportojnë se menjëherë pas transmetimit të intervistës, Lavrov ka patur një bisedë telefonike me Sekretarin e Shtetit John Kerry, me kërkesë të këtij të fundit.

Deklarata u lëshua nga vetë Lavrov një ditë pas bisedës telefonike mes presidentit amerikan Barack Obama dhe atij rus, Vladimir Putin, ku sic njoftohet nga Shtëpia e Bardhë është diskutuar mbi mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje diplomatike për krizën.

Të premten, Presidenti rus Vladimir Putin i ka telefonuar homologut të tij amerikan, Barack Obama për të diskutuar mbi propozimin e Shteteve të Bashkuara për një zgjidhje diplomatike të krizës së Ukrainës, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Në njoftimin e shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Obama i ka bërë të qartë homologut rus se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin gjetjen e një shtegu diplomatik për uljen e tensioneve.

“Presidenti Obama bëri të qartë se kjo është e mundur vetëm nëse Rusia tërheq trupat e saj dhe nuk ndërmerr më asnjë hap tjetër që shkel më tej integritetin dhe sovranitetin territorial të Ukrainës”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Në takimin Kerry-Lavrov pritet të diskutohet plani amerikan për zgjidhjen e krizës. Plani i Uashingtonit, i konsultuar me Ukrainën dhe partnerët europianë përmban ndalimin e grumbullimit të trupave ruse në kufirin me Ukrainën, dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë në Gadishullin e Krimesë për të mbrojtur të drejtat e rusisht-folësve dhe tërheqjen në bazë të të gjitha trupave ruse në këtë Gadishull.

Pika e fundit e planit amerikan pasqyron qëndrimin e Perëndimit për mosnjohjen e referendumit të 16 marsit, fill pas të cilit parlamenti rus dhe presidenti Putin bënë pjesë integrale të Federatës territorin ukrainas.

Kjo pritet të jetë pika më e nxehtë në bisedime. Analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se vështirë që Kremlini të tërhiqet nga Krimeja, përfshirjen e së cilës nën sovranitetin e vet e ka bërë tashmë fakt të kryer.

Top Channel