Vdekja e Karelit, reagon Avokati i Popullit

28/03/2014 00:00

Ilia Kareli ka mbetur viktimë e dhunës së ushtruar nga policia greke.
Këtë fakt, veç mjekësisë ligjore, e konfirmojnë dhe të burgosur të tjerë
shqiptarë, të cilët ndodhen në dy burgjet ku Kareli ka qëndruar gjatë
tre ditëve të fundit.

Në një lidhje telefonike nga Burgu i Malandrinos, i burgosuri shqiptar Endrit Bacaj tregon se Ilia Karelit i kishte përfunduar dënimi dhe mbahej padrejtësish në burg.

“Ilias i hoqën të drejtën të lirohej, ai e kishte mbaruar dënimin. Në momentin që e mori vesh që i kishte vdekur edhe e ëma, ia mohuan të drejtën ta shohë atë, më pas bëri veprimin e rëndë”, tha Endrit Bacaj, nga Burgu Malandrinos.

Ndërkaq, në një tjetër lidhje telefonike nga burgu i Ngritas, aty ku dhe Kareli ndërroi jetë, Altin Hasani, një i dënuar shqiptar, tregon se ai është mbajtur tërësisht i izoluar dhe nuk është lejuar që askush të komunikojë me të.

“Kareli ka qenë në qeli të izoluar, i vëzhguar nga kamerat. Kemi bërë të pamundurën për ta takuar, por nuk bëhej fjalë një gjë e tillë. Drejtoria e Burgjeve nuk na e lejonte një gjë të tillë”, tha Altin Hasani, nga Burgu Nigritas.

Nga ana tjetër, menjëherë pas publikimit të ekspertizës mjeko-ligjore lidhur me shkaqet e vdekjes së të burgosurit shqiptar, ka reaguar dhe Avokati i Popullit Igli Totozani. Në një lidhje telefonike për Revistën televizive të Mbrëmjes, në Top Channel, Totozani ka deklaruar:

“Republika e Shqipërisë ka një detyrim kushtetues ndaj shtetasve të saj, kudo ku ato ndodhen, qoftë përkohësisht apo në formë rezidenciale. Në rastin konkret detyrimi i Shqipërisë është të mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj kudo që ndodhen. Pres që Tirana të jetë vazhdimisht në kontakt me palën greke, të synojë deri në fund mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në këtë rast bëhet fjalë për zbulimin e së vërtetës. Të ketë një interes të vazhdueshëm pranë organeve kompetente greke”, tha ndër të tjera, Igli Totozani.

Ilia Kareli, katër ditë më parë theri me thikë një gardian të burgut të Malandrinos, pasi këta të fundit nuk i dhanë leje për të takuar familjarët. Pas kësaj ngjarje, ashtu dhe siç ka dëshmuar ekspertiza mjeko-ligjore, gardianët grekë kanë ushtruar dhunë mbi të, dhunë e cila i shkaktoi dhe vdekjen.

Top Channel