Ukrainë, Rusia gati për ofensivë

28/03/2014 00:00

Janë pothuajse 50 mijë ushtarët rusë të vendosur përgjatë kufirit me
Ukrainën, vlerësojnë funksionarë të qeverisë amerikane të cituar nga
“Wall Street Journal”.

“Moska është gati për një ofensivë në shkallë të gjerë dhe po krijon rrugë furnizimi”, kanë thënë burimet e cituara nga gazeta prestigjoze amerikane.

Alarmi për rritjen e pranisë ushtarake ruse u dha një ditë më parë nga kryetari i Këshillit të sigurisë kombëtare të Ukrainës, Andriy Parubiy, i cili foli për rreth 100 mijë ushtarë rusë të vendosur përgjatë kufirit, shumë më tepër nga vlerësimi i mëhershëm amerikan, që fliste për 20 mijë.

Ndërkohë, ish-presidenti ukrainas Viktor Yanukovych është bërë i gjallë, duke propozuar referendum në të gjitha rajonet. “Për të ruajtur unitetin e Ukrainës duhet një referendum në të gjitha rajonet për të përcaktuar statusin dhe jo zgjedhje presidenciale”, ka thënë Yanukovych.

Ndërkohë, Rusia do të krijojë sistemin e saj të pagimit elektronik, sipas modelit të Japonisë dhe Kinës, ka njoftuar presidenti rus Vladimir Putin në një takim me senatorët rusë.

Në ditët e fundit kompanitë Visa dhe Masterbank kishin ndërprerë operacionet për klientët e disa bankave ruse të prekura nga sanksionet amerikane.

“Mëkat që disa kompani kanë vendosur kufizime. Mendoj se kjo do të sjellë humbjen e disa segmenteve të tregut dhe të një tregu shumë fitimprurës për to. Por ky nuk ishte vendimi ynë. Ne duhet të mbrojmë interesat tona dhe këtë do të bëjmë”, ka deklaruar Putin.

Top Channel