Ukraina, Putin i telefonon Obama-s

28/03/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin i ka telefonuar homologut të tij amerikan, Barack Obama, për të diskutuar mbi propozimin e Shteteve të Bashkuara për një zgjidhje diplomatike të krizës së Ukrainës, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Obama ka sugjeruar që Rusia të jepte një përgjigje konkrete me shkrim, tha zëdhënësi i tij në një deklaratë. Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve priten të takohen së shpejti për të diskutuar hapat e mëtejshëm, shtoi ai.

Telefonata e e Putin erdhi menjëherë pas intervistës së Obamës, i cili i tha se tensionet mund të ulen vetëm atëherë, kur Rusia do të tërheqë trupat e saj nga kufiri me Ukrainën, dhe më pas të fillojnë bisedimet e drejtpërdrejta mes qeverive të të dy vendeve.

“Ju keni parë një numër të madh trupash ruse, të cilat janë vendosur pranë kufirit me Ukrainën. Kjo mund të jetë thjesht një përpjekje për të frikësuar Ukrainën. Ajo që është e nevojshme për situatën e tanishme është tërheqja e trupave ruse dhe fillimi i bisedimeve të drejtpërdrejta mes dy vendeve dhe ndërkombëtarëve”, tha Obama në intervistën për “CBS News”.

Dy zyrtarë amerikanë i bënë të ditur CNN se rreth 40 mijë trupa ruse mund të jenë pranë kufirit me Ukrainën. Ndërkohë, një zëdhënës i Sigurisë Kombëtare të Ukrainës i tha CNN se në kufi ndodhen rreth 88 mijë trupa ruse.

Rusia, nga ana e saj, ka thënë se është duke zhvilluar një stërvitje ushtarake të parakohshme në rajon. Gjithashtu, të premten, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se presidenti rus Vladimir Putin e ka siguruar atë, se nuk ka ndërmend të ndërmarrë veprime të mëtejshme ushtarake në territorin e Ukrainës.

Pasi informoi Këshillin e e Sigurimit të OKB-së, në lidhje me bisedimet e fundit të zhvilluara në Moskë dhe në Kiev, Ban Ki-moon bëri një bashkëbisedim me gazetarët. Pyetjes, se kishte marrë një garanci nga Putin për ndalim të veprimeve ushtarake në Ukrainë, Ki-moon u përgjigj se nuk do të ketë asnjë lëvizje të re ushtarake nga Rusia dhe se për këtë ishte siguruar nga presidenti rus.

Top Channel