Obama: Rusia të tërheqë trupat

28/03/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama i bëri thirrje Rusisë që të tërheqë trupat e saj nga kufiri me Ukrainën, të ulë tensionet dhe të nisë bisedimet e drejtpërdrejta me Kievin.

Besohet se të paktën 50 mijë trupa ruse janë zhvendosur në afërsi të kufirit me Ukrainën, një lëvizje që për Shtëpinë e Bardhe më shumë synon të frikësojë Kievin se sa përbën një rrezik real për ndonjë plan të mundshëm të Moskës për të ndërhyrë në lindje të vendit.

Në një intervistë për televizionin amerikan CBS kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se nacionalistët rusë dhe presidenti Putin po keqkuptojnë politikat e perëndimit karshi Moskës.

“Mendoj që ka një rritje të fortë të nacionalizmit rus, të cilët kujtojnë se Perëndimi ka përfituar në të shkuarën në kurriz të tyre. Ajo që e kam thënë gjithmonë dhe që e përsëris është që ai (Putin) po keqlexon mesazhet e diplomacisë Perëndimore. E sigurtë është që po keqlexon mesazhet e politikës sonë të jashtme. Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë interes të dëmtojnë Rusinë dhe s’kanë asnjë interes në Ukrainë, pervecse të mbështesin popullin ukrainas që të bëjë zgjedhjen e vet”, deklaroi Obama.

Pavarësisht kësaj Rusia ka rritur masat mbrojtëse të saj. Kreu i shërbimit sekret rus FSB, Alexander Malevany deklaroi për agjencinë e lajmeve Interfax se po agjencia po merr masa shtesë të sigurisë pas kërcënimeve të Perëndimit ndaj Moskës.

“Ka një rritje të ndjeshme të kërcënimeve ndaj sigurisë së shtetit. Dëshira dhe vullneti i ligjshëm i popullit të Krimesë dhe lindjes së Ukrainës po shkakton histeri në Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj”, deklaroi Malevany, duke njoftuar marrjen e masave ‘dinamike për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Perëndimit për të dobësuar rolin e Rusisë në një rajon me rëndësi jetike për rusët”.

Alarmi për rritjen e pranisë ushtarake ruse u dha një ditë më parë nga kryetari i Këshillit të sigurisë kombëtare të Ukrainës, Andriy Parubiy, i cili foli për rreth 100 mijë ushtarë rusë të vendosur përgjatë kufirit, shumë më tepër nga vlerësimi i mëhershëm amerikan, që fliste për 20 mijë.

Ndërkohë, ish-presidenti ukrainas Viktor Yanukovych është bërë i gjallë, duke propozuar referendum në të gjitha rajonet. “Për të ruajtur unitetin e Ukrainës duhet një referendum në të gjitha rajonet për të përcaktuar statusin dhe jo zgjedhje presidenciale”, ka thënë Yanukovych.

Ndërkohë, Rusia do të krijojë sistemin e saj të pagimit elektronik, sipas modelit të Japonisë dhe Kinës, ka njoftuar presidenti rus Vladimir Putin në një takim me senatorët rusë.

Në ditët e fundit kompanitë Visa dhe Masterbank kishin ndërprerë operacionet për klientët e disa bankave ruse të prekura nga sanksionet amerikane.

“Mëkat që disa kompani kanë vendosur kufizime. Mendoj se kjo do të sjellë humbjen e disa segmenteve të tregut dhe të një tregu shumë fitimprurës për to. Por ky nuk ishte vendimi ynë. Ne duhet të mbrojmë interesat tona dhe këtë do të bëjmë”, ka deklaruar Putin.

Top Channel