Malajzi, zhvendosen kërkimet për avionin

28/03/2014 00:00

Kërkimet për avionin e zhdukur të “Malaysia Airlines” janë zhvendosur në
një pjesë të re të Oqeanit Indian, si pasojë e “disa pistave të reja e
të besueshme”.

Autoriteti australian për sigurinë detare, AMSA, deklaroi se kërkimet tani do të fokusohen në një zonë prej 1.100 kilometra në veri-lindje të zonës së mëparshme.

Zhvendosje është bazuar në analizat e mëtejshme të të dhënave të mbledhura nga radarët, që tregonin se avioni po ecte me shpejtësi, duke përdorur si rrjedhojë më shumë karburant.

Kërkimet e kryera deri mëngjesin e së premtes u fokusuan në një zonë rreth 2.500 kilometra në jug-perëndim të qytetit australian të Perthit.

Duke përdorur pamje satelitore, vende të ndryshme kanë identifikuar objekte që lundrojnë në det në atë zonë, por ato nuk janë lokalizuar me saktësi dhe nuk ka prova që të jenë të lidhura me avionin.

John Young, menaxher i përgjithshëm i seksionit të emergjencës në AMSA, deklaroi se ekipet kanë lëvizur nga zona e mëparshme bazuar në informacionin e ri. Ky i fundit është mbledhur nga ekipi ndërkombëtar i investigimit që është mbledhur në Malajzi.

“Ky informacion bazohet në analizat e vazhdueshme të të dhënave të radarëve në zonën mes Detit Jugor të Kinës dhe Ngushticës së Malakës përpara se avioni të humbiste kontaktin”, thuhet në një deklaratë të AMSA.

“Ato tregonin se avioni po udhëtonte më shpejt nga sa vlerësohej më parë, duke sjellë një rritje të përdorimit të karburantit dhe duke reduktuar distancën që përshkoi avioni në Oqeanin Indian”, vijon më tej deklarata.

Një ditë më parë ishte një satelit tajlandez që nxori të dhëna të reja për pjesët e avionit, që u rrëzua më 8 mars me 239 pasagjerë në bord, shumica e të cilëve kinezë.

Të afërmit e këtyre të fundit protestuan pak ditë më parë përpara selisë së ambasadës malajziane në Pekin, duke akuzuar qeverinë e Kuala Lumpurit për neglizhencë në kërkimin e trupave të të afërmve.

Përreth selisë diplomatike kishte një prani të theksuar policie, e cila u përlesh me një grup familjarësh që u përpoqën të flisnin për gazetarët, raportoi agjencia e lajmeve “AP”. 

Top Channel