Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës

28/03/2014 00:00

Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës prezantoi para deputetëve në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, raportin vjetor të institucionit që ajo drejton. Padyshim, një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve por edhe të tregjeve, përbëjnë lajm gjatë këtyre ditëve. Zonja Lindita Lati ka qenë e ftuar në Revistën televizive të Mbrëmjes, e cila i është përgjigjur disa pyetjeve të bëra nga kryeredaktori Pandi Gjata.

Pandi Gjata: A ka monitorim të tregjeve dhe, nëse mundeni, cilat janë tregjet e monitoruara dhe shkaqet?

Lindita Lati: AK, procedurat kryesore i ka procedura hetimore dhe për të evidentuar shenja, që na japin mundësinë të gjykojmë nëse ka shkelje, atëherë nisim me procedura monitorimi të shkurtra, thjesht për të mbledhur fakte mbi fenomene që zhvillohen në një treg të caktuar.

Pandi Gjata: Në momentin që flasim, a keni tregje konkrete ku po hetoni?

Lindita Lati: Sigurisht që kemi tregje nën hetim dhe një pjesë e mirë e tyre janë përmendur në raportin vjetor. Aktualisht kemi tregjet e hidrokarbureve, të sigurimeve në procedura hetimore, njëkohësisht po zhvillohen procedura monitorimi në tregjet e mallrave të akcizës, si dhe në tregje të ndjeshmërisë së caktuar, si ai i prodhimit të eksportit dhe i tregtimit me shumicë të duhanit, ashtu si dhe ai për energjinë elektrike, për të cilën kemi organizuar edhe një tryezë të rrumbullakët me ERE-n. AK i nis këto procedura hetimi apo monitorimi bazuar në ankesa, gjë që karakterizon thuajse të gjithë vitin e kaluar, pasi nuk mund t’i themi ‘Jo’ një ankese që vjen nga biznesi, vetëm në rastet kur kemi shumë ankesa dhe në atë moment do të duhet të vendosim prioritete nga pesha specifike që kanë në mirëqenien e konsumatorit apo mbi funksionimin e tregjeve.

Pandi Gjata: Përmendët bashkëpunimin me ERE-n. Gjatë diskutimit me deputetët në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, u tha që Autoriteti duhet të japë mendimin për çështjen e çmimit të energjisë elektrike.

Lindita Lati: Kjo është një procedurë e zakonshme e AK, sidomos pas muajit Shtator të çdo viti. Firmat që prodhojnë energji elektrike, njëkohësisht dhe OST (sistemi i transmetuesit) dhe firmat e shpërndarjes në furnizimin me pakicë të popullsisë aplikojnë pranë ERE-s, për tarifat e tyre që duan të aplikojnë. Kjo procedurë vlerësimi bëhet fillimisht nga ERE, por është edhe procedurë konsultimi me të gjithë palët e interesit.

Pandi Gjata: Ka qenë një bashkëpunim i mirë? A iu merren në konsideratë propozimet që ju bëni?

Lindita Lati: Në vitin 2007-2008, AK ka realizuar një hetim të përgjithshëm për tregun e energjisë elektrike dhe në vitin 2008 ka prodhuar një vendim, 9091, ku merr në mënyrë të detajuar të gjitha segmentet që nga prodhimi, transmetimi e deri te shpërndarja e energjisë elektrike, duke dhënë rekomandime të detajuara për mënyrën se si mund të facilitohet konkurrenca qoftë dhe në një treg të rregulluar. Në mënyrë sistematike kanë qenë disa vite radhazi që ne kemi gjeneruar rekomandime, nga të cilët më kryesori është që Enti Rregullator i Energjisë por edhe ai i Ujësjellsave nuk mund t’u thonë ‘Po’ tarifave të aplikuara nga operatorët, nëse këta të fundit nuk tregojnë se po operojnë në eficencë. Kjo do të thotë se në tregjet e rregulluara, ku numri i operatorëve është i vogël, ERE të mbikqyrë mënyrën se si funksionojnë këto tregje, përfitimet që sjellin këto firma qofshin publike apo private në funksion të konsumatorit, duhet të çojnë në mirëpërdorimin e të mirës publike. Garant është ERE së pari, e më pas edhe AK, që kërkon t’i shohë tregjet në eficencë. Mbi të gjitha kemi kërkuar që nëpërmjet ndarjes nga faza e prodhimit te KESH, të ndahet prodhuesi i energjisë elektrike nga furnizuesi me shumicë, ndërsa në pjesën e shpërndarjes së tregut, të ndahet furnizuesi me pakicë i publikut nga CEZ-i. Pra brenda CEZ të ketë dy divizione qartësisht të ndara, që mund të jenë brenda së njëjtës kompani, por llogaritë e kontabilitetit dhe përgjegjësitë të jenë të ndara. Në këtë mënyrë realizohet transparenca e formimit të çmimit. Këtë komunikim e kemi pasur vazhdimisht, ndërsa risi e vitit 2012 është që këto rekomandime, BE në progres-raport ia ka vendosur si kusht qeverisë për të zbatuar vendimet e AK.

Pandi Gjata: Kemi të bëjmë me një fazë të re në këto momente? Mund të kemi një bashkëpunim të ri mes institucioneve?

Lindita Lati
: Për ne kjo është vijueshmëri, por vëmendja që vendosi Parlamenti përmes deputetëve, në mëyrë të qartë në Komisionin e Ekonomisë, ishte një thirrje jo vetëm për AK, por edhe për të gjithë Entet Rregullatore, që në tregjet specifike të tyre të mbajnë përgjegjësi për zbatimin e ligjit dhe të bashkëpunojnë ngushtësisht me AK, pikërisht sepse çdo ligj në tregjet e rregulluara ka një nen që flet për mbrojtjen dhe promovimin e konkurrencës.

Pandi Gjata: Shohim çështjen e monopoleve. Dihet qëndrimi i kësaj mazhorance që po qeveris tashmë, e sidomos për çështje të ndjeshme siç janë koncensionet në energjitikë, si markimi i karburanteve, ekskluziviteti i tregut të transportit ajror, pulla fiskale etj. A duhet të merret AK me këto koncensione para dhënies së tyre?

Lindita Lati: Absolutisht që po, është detyrim ligjor. Por nuk mund t’i drejtohemi AK pasi i kemi dhënë këto koncensione dhe të themi se çfarë po bën AK për ato. AK, mbi bazën e ankesave nga përdoruesit e shërbimit, pasi janë dhënë koncensionet, e ka për detyrë t’i marrë në konsideratë. Por jo se thotë politika që duhet të çbëjmë koncensionin, thjesht mbi bazën e ankesave. Fillimisht duhet të operojnë Ministritë që e kanë për detyrim ligjor mbikqyrjen e koncensioneve, sepse janë palë nënshkruese e atyre marrëveshjeve. Ne jemi pjesë e kësaj tryeze dhe kemi një rol shumë aktiv, sepse vendosim në dispozicion stafet tona për inspektime e monitorime për të dhënë sa më shumë informacion, por nuk mund të jemi lider në këtë proces.

Pandi Gjata: Mënyra se si do të trajtohen të gjitha koncensionet e dhëna është një çështje dite, ka kohë kjo për politikën, por cili është roli i AK dhe mendimi i tij për këto koncensione?

Lindita Lati: Ne po marrim në shqyrtim, bazuar mbi shqetësimin e ardhur nga publiku për koncension e kolaudimit të automjeteve në fund të Dhjetorit, pasi e kemi detyrim ligjor por kemi edhe bazë ligjore që të nisim monitorimin për të parë se si funksionon ky koncension dhe për të konkluduar nëse kemi të bëjmë me rastin e abuzimit nga koncensionari, apo kush janë problematikat e funksionimit të këtij segmenti tregu. Krahas kësaj, AK, duke qenë edhe institucioni lider sa i përket kapitullit 8 të procesit të integrimit, Kapitulli i Politikës së Konkurrencës, ne kemi një nënseksion që lidhet me liberalizimin. Kemi të detajuara të gjitha të drejtat ekskluzive që janë dhënë të paktën deri në 2010-n, kur dhe u përgatit pyetësori, dhe i kemi dhënë të gjitha ministrive të të drejtave ekskluzive një bazë ligjore mbi direktivat e fundit të BE, mbi të cilat ndodhin edhe zhvillimet e fundit në tregjet specifike.

Pandi Gjata: Është AK fjala e fundit, apo ka edhe ndonjë autoritet tjetër mbi të, në lidhje me çështjen e koncensioneve?

Lindita Lati: Pa u dhënë koncensioni, AK është një zë kyç sa i përket mbrojtjes publike, është mbikqyrësi i pavarur që shikon nëse është mbrojtur mirë e mira publike dhe a është brenda normave ekonomike dhënia e tyre. Por nëse janë dhënë, ne shikojmë bazuar në ankesa se si funksionojnë këto tregje. Ne jemi pjesë e institucioneve publike, por jo vendimmarrësit në këtë moment të dytë.

Pandi Gjata: Koha që ju të keni rolin që iu takon në këto çështje të rëndësishme dhe që të mos i diskutojmë kur të kenë pasoja apo debate të mëdha, sidomos mes politikës.

Lindita Lati: T’i adresojmë në momentin e duhur, sepse nuk është ligji për mbrojtjen e konkurrencës, por ky ligj zbaton një nen të caktuar të Traktatit të Lisbonës. Janë standarde të së drejtës europiane të konkurrencës dhe neni 106 i atij traktati e thotë qartë se momenti i parë është ai i konsultimit dhe pastaj, nëse do kemi abuzime me pozitën dominuese nga këto koncensione…

Top Channel