Merkel: Peniani të heqë dorë nga bërthamoret

27/03/2014 00:00

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidentja koreano-jugore, Park Geun-hye, kanë ritheksuar apelin ndaj Koresë së Veriut, për të hequr dorë nga programi bërthamor.

Dy lideret kanë folur në një konferencë për shtyp në Berlin, pas një takimi bilateral në zyrat e Kancelares. Kërcënimi bërthamor i Penianit duhet të tejkalohet, kanë thënë ato.

Ndërkohë, nuk ka mbetur pa u komentuar edhe situata e rënduar në Ukrainë, teksa Gjermania shpreson që kriza mes Rusisë dhe Ukrainës të zbutet sa më shpejt të jetë e mundur, e të mos përshkallëzohet deri në atë pikë sa do të duhet të ndërmerren sanksione të karakterit ekonomik, kundër Putin.

“Shpresoj që kjo gjë të shmanget”, ka thënë Angela Merkel, duke nënvizuar se Berlini “është i interesuar për qetësim” të konfliktit.

Gjithsesi, – ka shtuar Kancelarja, – “Rusia e di se nëse shkelen të tjera marrëveshje ndërkombëtare, do të jemi gati për një reagim edhe më të fortë”.

Për këtë temë ka folur edhe Obama, i cili ka siguruar se nuk do të ketë një tjetër “Luftë të Ftohtë” me Rusinë, duke folur nga Brukseli për veprimet e fundit të Rusisë, që kulmuan me aneksimin e Krimesë.

“SHBA-të dhe Europa nuk kanë interes të kontrollojnë Ukrainën dhe nuk kanë dërguar trupa ushtarake, por duam që Kievi të vendosë vetë për gjithçka”, është shprehur presidenti amerikan, duke nënvizuar se “nuk do të ketë një luftë të re të ftohtë”, sepse “nuk është një përballje” me një Rusi që “udhëheq një bllok kombesh apo një bllok ideologjik”.

“Në shekullin e 21, kufijtë nuk ripërcaktohen me forcë. SHBA dhe BE dënojnë Rusinë për invazionin në Krime, pasi ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe, nëse do të vazhdojë, do të sigurohemi se izolimi i tyre do të vazhdojë të thellohet edhe më tej, përmes sanksioneve të reja”.

“Qëndrojmë në krah të Kievit, në lojë janë vlerat e paqes, të zhvilluara e përmirësuara pas luftrave botërore”, ka përfunduar Obama.

Top Channel