Madridi refuzon Pavarësinë e Katalunjës

27/03/2014 00:00

Gjykata Kushtetuese në Madrid shfuqizoi përfundimisht deklaratën për sovranitetin e Katalunjës. Deklarata, e miratuar nga Parlamenti katalan në Janar 2013, është “e pavlefshme dhe antikushtetuese”, thuhet në vendimin e “Tribunalit Constitucional” të cituar nga “Deutsche Welle”.

Referendumi i planifikuar të zhvillohej për Pavararësinë e Katalunjës u shpall kësisoj i paligjshëm. Një rajon “nuk mund të organizojë në mënyrë të njëanshme referendum për vetëvendosje”, thuhet në vendimin, që argumentohet me faktin se Katalunja “nuk është subjekt politik dhe juridik i pavarur”.

Presidenti rajonal i saj deklaroi, Dhjetorin e vitit të kaluar, se referendumi do të mbahej më 9 Nëntor 2014.

Pyetja e parë duhet të ishte: “A dëshironi që Katalunia të bëhet shtet?”. Nëse ajo merrte përgjigje pozitive, vijonte pyetja pasuese: “A dëshironi që ky shtet të jetë i pavarur?”.

Sipas Kushtetutës spanjolle, vetëm qeveria qendrore në Madrid mund të vendosë për mbajtjen e një referendumi. Katalunja dhe 16 rajonet e tjera autonome të Spanjës nuk e kanë këtë të drejtë.

Zëdhënësi i grupit parlamentar të partisë nacionaliste në pushtet në Katalunjë, CiU, Jordi Turull, e kundërshtoi me forcë vendimin e gjykatësve, duke e cilësuar “vepër të agjitatorëve politikë”.

Katalunia është një prej rajoneve më të zhvilluara ekonomikisht të vendit dhe llogaritet se zë, e vetme, një të pestën e Prodhimit Bruto të Spanjës.

Katalanasit, krenarë për gjuhën dhe kulturën e tyre, ankohen prej kohësh se i paguajnë shuma të larta Madridit dhe marrin një kompensim relativisht të ulët, ndaj kërkojnë që taksat, rajoni t’i mbledhë vetë. Sondazhet tregojnë se shumica e tyre janë në favor të shkëputjes së kësaj zone nga Spanja.

Top Channel