Një furgon që transportonte lëndë plasëse për llogari të firmës OSKEOLA SHPK, u ndalua mbrëmjen e së mërkures nga policia e Shkodrës. Mjeti transportonte 24 kg lëndë plasëse dhe rreth 100 detonatorë.

Eksplozivi ishte marrë në magazinat e firmës “Babasi” në Fushë-Krujë, të cilës, sipas policisë i është hequr liçenca e tregëtimit të lëndëve shpërthyese.

Për këtë arsye, Policia e Durrësit nisi në orët e mbrëmjes së të enjtes arrestoi administratorin dhe magazinierin e firmës “Babasi SHPK” ndaj të cilëve ka nisur edhe procedimin, ndërsa policia e qytetit verior arrestoi shoferin e furgonit që transportonte lëndën eksplozive, Martin Marvataj.

Ai akuzohet për shkelje të rregullave të transportit të lëndëve plasëse. Sipas policisë, eksplozivi, i cili ishte porositur nga një firmë që punonte në sektorin e minierave në Pukë, ishte duke u transportuar jashtë ç’do kushti teknik që parashikon ligji, si pajisje e mjeteve fikëse në rast zjarri, apo shoqërimi nga kompani të sigurisë fizike me roje të armatosura për të garantuar sigurinë gjatë transportit.

Firma “Babasi” ushtron aktivitet në zonën e Fushë-Krujës, për shpërndarjen e eksplozivit për hapje të akseve të reja rrugore. Policia thotë se ka nisur proçedimi penal për drejtuesit e firmës për aktivitet të paligjshëm.

Sipas policisë, edhe pse ishte bërë pezullimi i liçencës për shitjen e lëndëve eksplozive, kompania “Babasi” ka vazhduar shitjen e tritolit për kompani të tjera me aktivitet civil.

I kontaktuar nga Top Channel, Ndriçim Babasi u shpreh se firma është në pronësi të vëllait të tij. Ai tha se kompania është në rregull me dokumetacionin dhe zotëron në bazë të ligjit dhe vendimit 209 të Këshillit të Ministrave, date 26 janar 2011, liçencë për magazinim dhe tregëtim të lëndëve plasëse për përdorim civil.

Zoti Babasi sqaroi se këto lëndë janë përdorur dhe do përdoren gjithmonë në disa sektorë të ekonomisë si ndërtimi, në miniera dhe në vepra të tjera, ndërkohë që shtoi se lënda plasëse është blerë brenda vendit për përdorim civil, me një kontratë të rregullt në uzinën e Mjekësit dhe i është shitur po brenda rregullave një kompanie që operon në fushën e minierave dhe të liçencuar nga Ministria e Energjitikës dhe Industrisë dhe sërish për përdorim civil.

Në këtë rast, firma blerëse është pajisur edhe me autorizim nga komisariati i Pukës për blerjen e mallit. Zoti Babasi tha se po krijohet një çështje që nuk ekziston ndoshta për shkak edhe të rrethanave që përkojnë me situatën e rendit dhe shpërthimet me tritol, por shtoi se pret që çështja të sqarohet shumë shpejt. “Shpresoj që ky aksion të mos ketë prapavijë politike, pasi vëllai im nuk e ka lidhur asnjëherë biznesin e tij me politikën”, deklaroi Babasi.

Një ditë më parë qeveria aprovoi ndryshimet në Kodin Penal, duke forcuar ndëshkimin për shkeljen e rregullave të ruajtjes dhe shitjes së lëndëve eksplozive.

Në relacionin shoqërues të projektiligjit, Ministria e Brendshme thekson se, si pasojë e keqmenaxhimit të kësaj lënde nga kompanitë që e disponojnë për arsye civile, sasi të konsiderueshme kanë përfunduar në duart e kriminelëve që e përdorin në aktet terroriste.

Top Channel