SHBA, të tjera viktima nga rrëshqitja

25/03/2014 00:00

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara deklarojnë se kanë gjetur edhe 6 trupa të tjerë të pajetë në masivin e dheut që rrëshqiti të shtunën në Uashington, duke e çuar në 24 numrin e viktimave të konfirmuara.

Zyrtarët vendas deklarojnë se numërohen mbi 176 persona të zhdukur, pasi vala e baltës goditi qytetin Oso, në veri të Siatëllit.

Ekipet e kërkimit kanë punuar ditë e natë, duke përdorur helikopterë dhe kontrolle me lazer, por autoritetet pranojnë se ka pak shpresa për të gjetur të mbijetuar.

Presidenti Barack Obama ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Uashington dhe ka urdhëruar autoritetet federale që të koordinojnë operacionet për kthimin e situatës në normalitet.

Duke folur pasi vëzhgoi situatën nga ajri, guvernatori i shtetit të Uashingtonit Jay Inslee deklaroi se, “shkatërrimi ka shkuar përtej imagjinatës”.

Ai tha se rrëshqitja “kishte ndarë një mal në dysh” dhe më pas ka përfshirë qytetin që shtrihej poshtë. Asgjë që ndodhej në shtegun e baltës nuk ka mbetur në këmbë. “Është një shkatërrim absolut që na shkakton shumë dhimbje”, deklaroi guvernatori.

Anëtarë të familjeve të dëmtuara po përdorin sharra elektrike dhe po gërmojnë me duar të zbathura për të gjetur të afërmit e humbur.

Shkak për këtë rrëshqitje masive dheu janë bërë shirat e dendura dhe specialistët deklarojnë se nuk përjashtohet mundësia që reshje të furishme të ketë sërish.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel